Lidhje

Presidenti Topi i drejtohet me një mesazh parlamentit shqiptar

  • Armand Mero
  • Tiranë

Presidenti Topi i drejtohet me një mesazh parlamentit shqiptar

Presidenti Topi i drejtohet me një mesazh parlamentit shqiptar

Presidenti Bamir Topi i është drejtuar sot me një mesazh parlamentit në hapje të seancës së nesërme. Duke kujtuar ngërcin e gjatë politik, kreu i shtetit ka bëre thirrje për bashkëpunim mes palëve në interes të reformave që vendit i kërkon për integrimin e tij europian. Ai ka bërë thirrje për heqjen dorë nga format e bojkotit dhe krjimin e një klime besimi larg praktikave denigruese e izoluese për pakicën. Presidenti Topi ka vënë theksin te reforma zgjedhore e cila duhet të jetë serioze e t’i japë fund tregtisë me votën.

Parlamenti shqiptar mblidhet nesër në një moment delikat të jetës politike të vendit por edhe të raporteve të tij me Bashkimin europian. Ne mesazhin e tij drejtuar deputetëve, presidenti Topi vë theksin në disa cështje të rëndësishme të cilat duhet të gjejnë zgjidhje. Ai kujton fakti se që prej dy vjetësh parlamenti nuk ka mundur të miratojë asnjë ligj që kërkon votat e të dy krahëve të politikës, duke foplur për dy vjet ngërci dhe kohe të humbur në përparimin e vendit drejt integrimit europian. “Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjës kombëtare, ju ftoj t’i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme”, shprehete Presidenti Topi.

Klima e acaruar politike në vend është reflektuar edhe në sallën e parlamentit me debate shpesh shumë të ashpra e ku opozita ka refuzuar të marrë pjesë në votimin e ligjeve. Për këtë arsye presidenti i drejtohet me një thirrje të qartë të dy palëve: “Apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin. Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë”.

Duke ju referuar edhe raporteve ndërkombëtare mbi funksionimin e demokracisë në vend apo dhe vendimeve kritike të gjykatës kushtetuese sic shprehet ai, Presidenti Topi është I mendimit se disa praktiv të miratimit dhe shqyrtimit të ligjeve duhen rivlerësuar. Ndersa kujton sulmet ndaj të cilave edhe ai vetë ka qenë objekt, apo sjelljeve denigruese të parlamentit, sic nënvizon ai, ndaj institucioneve të tjera kushtetuese, kreu I shtetit ka vënë theksin në rëndësinë e respektimit të institucioneve të pavarura. “Ky model parademokratik komunikimi midis institucioneve duhet të marrë fund. Parlamenti e ka për detyrë dhe përgjegjësi të jetë faktor me rëndësi pro partneritetit midis institucioneve, të dëgjojë fjalën e tyre, të shprehet me votë, por edhe të respektojë pa ekuivok integritetin e tyre kushtetues. Shqipëria e vitit 2011 nuk ka më nevojë për militantizëm në udhëheqjen e shtetit; ajo ka nevojë për politikanë reformatorë dhe institucione të forta, ka nevojë për profesionalizëm të lartë, funksionim kushtetues dhe respekt ndërinstitucional. Kjo është faza ku bëhet diferenca midis një vendi në tranzicion dhe një vendi që meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Në mesazhin e tij presidenti Bamir Topi përmend një sërë reformash të rëndësishme që lidhen me sistemin gjyqësor, cështjen e pronave, pavarësisë së adnministratës publike, si dhe cështjen shumë shpesh të debatuar të kufizimit të imunitetit: “Retorikat politike antikorrupsion dhe për kufizimin e imunitetit nuk kanë vlerë ligjore, ndërkohë që ne vijojmë të jemi një vend me probleme ende të mëdha korrupsioni, po ku akoma nuk kemi aplikim praktik të standardeve të njëjta gjykimi si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për politikanin dhe zyrtarin e lartë politik e kushtetues. Politika duhet të japë vetë shembullin e saj dhe kufizimi kushtetues i imunitetit është hapi i parë serioz në këtë drejtim”.

Një tjetër reformë e rëndësishme është edhe ajo zgjedhore, e cila sipas kreut të shtetit duhet të serioze dhe gjithëpërfshirëse që të sigurojë transparencë reale financiare dhe largimin përfundimtar nga administrimi militant partiak: “Reforma zgjedhore duhet t’i japë fund tregtisë me votën, spekullimeve militante me vullnetin qytetar, duhet të ndajë qartë rolin e partive dhe të shtetit në fushatë, të rrisë cilësinë e përfaqësimit gjinor dhe shtresor të popullsisë, të zgjerojë lirinë dhe hapësirën qytetare për të votuar individin dhe njëherësh të mundësojë krijimin e institucionit sovran të demokracisë direkte! Është në nderin dhe përgjegjësinë tuaj që kjo reformë të zhvillohet në kohën e duhur, me cilësinë e duhur dhe mbi standardet e duhura”.

Zgjedhjet e fundit të 8 majit u shoqëruan me polemika dhe debate të ashpra, dhe sic shprehet presidenti Topi ato nuk arritën të bëjnë diferencën e madhe me disa praktika të gabuara të së kaluarës.

XS
SM
MD
LG