Lidhje

Presidenti Topi: Vullneti politik çelësi i zgjidhjes së problemeve


Presidenti Bamir Topi, intervistë për VOA

Presidenti Bamir Topi, intervistë për VOA

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, thotë se zgjedhja e pasaradhësit të tij duhet bërë me konsensus për të mirën e vendit, jo thjesht sepse thonë ndërkombëtarët. Presidenti Topi në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku dje, tha se të gjithë faktorët në Shqipëri duhet të kontribuojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe se një tregues në seriozitetin e raformave do të ishte heqja e imunitetit për politikanë, prokurorë dhe gjykatës. Zoti Topi foli edhe për gjendjen ekonomike dhe për debatin për nënkryetarin e KLD-së.

Zëri i Amerikës: Zoti President, paqëndrueshmëria politike në Greqi ka nxjerrë përsëri në plan të parë shqetësimet për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në Europë. Kryeministri britanik Cameron tha dje se monedha e përbashkët Euro po vihet në pikëpyetje. Vendi juaj nuk duket shumë i shqetësuar nga kriza globale e borxheve. Si do t’a përcaktonit ju gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare sot?

President Bamir Topi: Unë mendoj se të flasësh për ekonominë bëhet gjithnjë e më e komplikuar, pasi Shqipëria pavarësisht një ecurie relativisht pozitive që ka pasur gjatë këtyre viteve, ka arsye të forta që të ndihet e kërcënuar nga kriza. Së pari, sepse kjo është një krizë globale, së dyti, sepse ka prekur vende të rëndësishme të Bashkimit Europian dhe aq më shumë ka prekur vende që janë fqinjë me Shqipërinë. Në kontekstin e fundit, unë do t’a lidhja këtë me një prani të madhe të emigracionit shqiptar qoftë në Greqi si dhe në Itali. Kështu që nga kjo pikpamje, të gjithë duhet të jenë sensibël me këtë situatë dhe ajo që thashë në fjalimin tim të OKB-së është se askush nuk është i imunizuar nga kriza, aq më shumë që kriza ekonomike në momente të caktuara lidhet dhe me një paqëndrueshmëri të fortë politike, sikurse është rasti i Greqisë që ju e përmendët.

Zëri i Amerikës: Zoti President, t’ju kthehemi zhvillimeve të ditës në Shqipëri. Procedurat për presidentin e ardhshëm të vendit tuaj pritet të nisin javën e ardhshme, ndërkohë që debatet, hamendësimet, spekullimet kanë filluar tashmë. Ndoshta këtë pyetje unë nuk do t’jua shtroja nëse ju nuk do të ishit tërhequr nga gara për një mandat të dytë dhe nuk do të kishit lënë të kuptohej se do të angazhoheni aktivisht në politikë siç pritet. Pra cili është mendimi juaj për pasardhësin tuaj? Nga komuniteti ndërkombëtar po kërkohet një figurë që të përfaqësojë unitetin e popullit, pra thënë ndryshe një president që të jetë i pranuar nga të gjitha palët. Ju si e gjykoni këtë proces?

...duhet të jetë një process serioz e i kujdesshëm, por nga ana tjetër duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë ...

President Bamir Topi: Përpara se ta thonë ndërkombëtarët e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Ne në një farë mënyrë po kujdesemi gjithnjë e më shumë që të jemi në rregull me ndjesinë e ndërkombëtarëve se sa me atë që duhet të kemi ne konkretisht, qoftë si shoqëri, qoftë si institucione. Unë do t’a konsideroja jo fort elegante që të merresha me identikitin e pasardhësit që do të jetë në zyrën e presidentit te Republikës, por duke njohur tashmë problematikën e atij institucioni, por edhe lidhjet kushtetuese që ky institucion ka me institucionet e tjera, pra duke e parë në një farë mënyre situatën në pamje “3 dimensionale”, si qytetar, si ish parlamentar, por edhe si president, unë do t’a konsideroja procesin e zgjedhjes së Presidentit jo vetëm nga pikpamja kushtetuese, por edhe nga fryma e zgjedhjes; dhe këtu jam dakord me mjaft zëra që jo vetëm duhet të jetë një process serioz e i kujdesshëm, por nga ana tjetër duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë. Marrja në mënyrë shumë të thjeshtë e këtij problemi, duke e konsideruar presidentin, qoftë edhe nga rradhët e një vendimarrje të thjeshtë mazhoritare, më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni dhe për vendimarrje të rëndësishme që presin Shqipërinë në kuadrin e reformave të ndryshme, në kuadrin e një klime të ekuilibruar në politikën shqiptare, por sidomos përsa i përket rëndësisë së institucioneve të pavarura, që ato ta ruajnë pavarësinë e tyre, ta zhvillojnë këtë pavarësi, të rrisin integritetin e tyre qoftë moral apo profesional dhe tek e fundit do të kemi një Shqipëri akoma më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, një prej pushteteve kryesore që në Shqipëri nuk funksionon siç duhet, por që ka ndikim të madh tek të gjithë zhvillimet në vend, është ai i drejtësisë. Vitet e fundit drejtësia është vënë në provë me procese ku kanë qenë të përfshirë edhe figura të larta të politikës, që në një mënyrë apo në një tjetër, kanë mbetur të paprekura. Një pjesë e analistëve thonë se drejtësia në vendin tuaj ka dështuar. A ndani dhe ju të njëjtin mendim?

President Bamir Topi: Jo, unë nuk do të isha kategorik. Unë mendoj se zërat që e identifikojnë drejtësinë si një çështje që ka nevojë patjetër të rigjenerohet besoj që janë zëra racionale dhe drejtësia që të rigjenerohet, që të marrë fizionominë vet, në kushtet e një vendi që aspiron të anëtarësohet në BE, duhet patjetër që të jetë produkt i një bashkëpunimi të të gjithë zërave politikë, i një vullneti politik të përbashkët, të reformave që kanë nevojë të zhvillohen më tej për sistemin e drejtësisë, por edhe të institucioneve të cilat kanë nevojë patjetër që të rrisin përgjegjësinë e tyre, që të kenë një sistem drejtësie të pavarur, por të përgjegjshëm dhe nga kjo pikpamje unë shfrytëzoj rastin në këtë studio të nderuar për të thënë që vetëm nëpërmjet reformave, të cilat detyrimisht duhet të fillojnë me heqjen e imunitetit në mënyrë që politikanët qofshin këta të karrigeve më të larta të shtetit, por edhe gjyqtarët e prokurorët, do të ndihen njësoj si qytetarët e duke u ndjerë njësoj si qytetarët do të ndjehen të përgjegjshëm për hallet që kanë qytetarët. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të cilat janë pjesë e rëndësishme e jetës politike, por edhe për çështje të ditës, sikurse janë çështjet e pronave, apo çështje të tjera, që kanë nevojë për një sistem drejtësie të drejtë dhe korrekt.

Zëri i Amerikës: Zoti President, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çfarë përgjegjësie mbani ju për këtë gjendje të drejtësisë në Shqipëri, ku mendoni se çalon vendi që nuk ka një sistem më funksional të drejtësisë?

President Bamir Topi: Unë mendoj që asnjë nga aktorët e rëndësishëm institucionalë, kur gjendja e drejtësisë është e përkufizuar në mënyrë të tillë, asnjëri nuk do të ndihej rehat. Sepse kjo patjetër kërkon që në kuadrin e reformave duhet të ketë së pari një mirkuptim politik. Në kushtet kur në Shqipëri ka pasur kohë pas kohe vakume të rënda isntitucionale përsa i përket jo vetëm mungesës së miratimit të ligjeve, por edhe mungesës së debatit politik dhe publik për këtë çështje, unë mendoj që çdo njeri, aq më shumë ata që merren me vendim-marrjen politike duhet të ndihen keq. Por besoj që të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe presidentin, edhe parlamentarët, të gjithë ata që merren me çështje të drejtësisë, duhet të jenë në sinkron për të parë ku kanë gabuar, e sidomos për të parë se si duhet ecur me reformat në vazhdim.

Zëri i Amerikës: Disa javë më parë mes jush dhe shumicës u hap një debat i ashpër në lidhje me emërimin e nënkryetarit të KLD-së. Ju propozuat një prej anëtarëve që është gjyqtar, por votimi ende nuk është bërë. Jeni tërhequr nga pozicioni juaj, apo ka arsye të tjera për këtë vonesë.

President Bamir Topi: Unë nuk njoh tërheqje në linjën time, ju e dini që kam qenë konsekuent. Problemi është tek një vendimarrje racionale, por ajo që është shumë e domosdoshme, do të thoja, është që askush nuk duhet të mendojë, që dikush tjetër që vjen mbrapa duhet të bëjë emërimet. Unë mendoj që kjo është vlera që kanë instiucionet. Institucioni i cilitdo mbyllet në momentin që atij i mbaron afati kushtetues dhe puna për atë që vjen mbrapa fillon kur atij i nis afati kushtetues. Këtu nuk është çështje emrash dhe individësh, këtu është çështje e stabilitetit dhe performancës së institucioneve. Nga kjo pikpamje, në vijim të takimeve që do të ketë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të marrë në shqyrtim edhe kjo çështje, sepse nuk mund të funksionojë në kapacitet të plotë në rast se nga pikpamja strukturore këto institucione nuk plotësohen.

Zëri i Amerikës: Gjykata Kushtetuese është me një anëtar mangut pas dorëheqjes së gjyqtarit Petrit Plloci. Si do të veprohet për zëvendësimin e tij. Do të dërgoni ju një emër tjetër, apo parlamenti mund të zgjedhë mes tre emrave që qëndrojnë prej disa muajsh në parlament.

President Bamir Topi: Njëri prej atyre emrave është ridërguar në parlament, që do të thotë që tani çështja është sërish në parlament, pra do të thotë që nuk ka asnjë lloj ineficence në komunikimin midis dy institucioneve, gjithshka është sipas rregullit kushtetues, kështu që e ka në dorë parlamenti për t’a verifikuar këtë kandidaturë, për ta votuar ose jo, por ajo që është e rëndësishme është, që Gjykata Kushtetuese duhet të funksionojë në kapacitet të plotë.

Zëri i Amerikës: Ndonëse prej disa muajsh ka nisur një bashkëpunim mes palëve politike, duket gjithsesi prapë se ky bashkëpunim i ngjan një procesi të sforcuar, nën trysninë e BE-së dhe sfidës së statusit të vendit kandidat që kërkon të marrë Shqipëria. Ju vini nga rradhët e larta të politikës dhe pritet të ktheheni në të. Sipas gjykimit tuaj, përse është e vështirë që partitë të merren vesh mes tyre, të paktën për ato çështje të cilat janë me rëndësi për të ardhmen e vendit?

President Bamir Topi: Mesa duket këto janë çështje të një kulture politike, e cila ende dëshmon që Shqipëria nuk e ka përmbyllur periudhën e tranzicionit të saj. Kur ka vullnet politik, ju keni parë që gjërat realizohen në mënyrë të rrufeshme, ndërsa kur nuk ka vullnet politik, mund të përdoren me dhjetra argumente pse duhen bërë dhe ato nuk bëhen. Fakti që është diskutuar për mëse dy vjet për nevojën, domosdoshmërinë e miratimit të Gjykatës Administrative dhe ajo u realizua vetëm brenda një dite, kur u shfaq vullneti politik, tregon që vullneti politik dhe vendimarrja politike parlamentare është prioritare sepse aty është vullneti i sovranit. Unë mendoj që kjo ka të bëjë me kulturën e partive politike dhe predispozicionin e tyre për të mos parë momentin, por për të parë përtej këtij momenti, që do të thotë perspektivë e integrimit të Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG