Lidhje

Presidenti Topi takohet me ish-presidentët Moisiu e Mejdani


Presidenti Topi takohet me ish-presidentët Moisiu e Mejdani

Presidenti Topi takohet me ish-presidentët Moisiu e Mejdani

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, zhvilloi sot një takim me ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas njoftimeve nga zyra e shtypit e presidencës, presidenti Topi dhe ish-presidentët Moisiu dhe Meidani shprehën shqetësimin e përbashkët se “situata politike është e rënduar”, gjë që “po dëmton demokracinë dhe institucionet shqiptare”. Tre shtetarët e lartë pohuan se kjo “situatë e rënduar politike po vonon ecurinë e reformave gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Sipas të njëjtave burime, presidenti Topi ka thënë se “Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”. Ndërsa dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani së bashku me presidentin Topi deklaruan se “është e domosdoshme ulja e tensioneve politike dhe rikthimi i normalitetit në jetën parlamentare”. Ata bënë thirrje që “partitë politike duhet të gjejnë vullnetin e duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe consensus”. Zotërinjtë Moisiu dhe Mejdani vlerësuan rolin e presidentit Topi si “të ekuilibruar e moderator në zbatim të Kushtetutës” dhe premtuan se do ta mbështesin atë si “simbol i unitetit të popullit në përpjekjet e vazhdueshme me tone të matura e të qeta për të kryer detyrat e Presidentit të Republikës”.

Takimi i zotit Topi me ish-presidentët Moisiu dhe Meidani u mbajt pas një serie takimesh që presidenti shqiptar ka zhvilluar me diplomatë perëndimorë në përpjekje për të gjetur rrugë e mënyra që forcat kryesore të takohen për të nisur dialogun dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka kërkuar që palët të nisin dialogun për reformën zgjedhore dhe për reformat e tjera që përmban paketa me 12 pika që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Por opozita socialiste ka bërë të ditur se do të rifillojë protestat në shtator, megjithë ndërprerjen e bojkotit dhe se nuk do të ulet në tryeza dialogu pa garanci ndërkombëtare.

Analistët besojnë se megjithë kritikat nga të dyja palët, presidenti Topi përsëri po shihet si një pikë referimi për unitet dhe ndërmjetësim, sa kohë që socialistët po refuzojnë ftesat e demokratëve për të përmirësuar me mirëkuptim çdo ligj dhe reformë europiane të kërkuar nga Brukseli.

XS
SM
MD
LG