Lidhje

Obama: Të votohet për projektligjin e shpenzimeve


Demokratët dhe republikanët në Kongres nuk kanë arritur marrëveshje ndërsa qeveria është në ditën e katërt të mbylljes së pjesshme të shkaktuar nga dështimi për të rënë dakort mbi projektligjin e shpenzimeve.

Mbyllja ka bërë që 800 mijë punonjës federalë të marrin leje të detyruar.

Presidenti amerikan Barack Obama u shfaq sot në një restorant në Uashington që ofron ulje çmimi për punonjësit e detyruar të mos punojnë. Para se të porosiste për vete dhe për nënpresidentin Joe Biden, zoti Obama i bëri thirrje udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner të lejonte ligjvënësit të votonin për një projektligj shpenzimesh të palidhur me çështje të tjera. Presidenti Obama dhe demokratët po u bëjnë presion republikanëve të miratojnë një buxhet që të mos përfshijë ndryshime mbi ligjin për kujdesin shëndetësor.

"Mbyllja e qeverisë mund të ndërpritet që sot. Ne e dime se votat janë në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe siç e thashë edhe dje, në se zoti Boehner do të lejonte që të votohej, nuk do të kishim mbyllje të qeverisë," tha zoti Obama.

Më parë, zoti Boehner dhe ligjvënës të tjerë republikanë u kërkuan demokratëve të negociojnë një zgjidhje.

"Kjo nuk është lojë. Populli amerikan kërkon që qeveria të mos mbyllet dhe këtë dua edhe unë. Ne thjesht po kërkojmë të ulemi dhe të diskutojmë për të sjellë drejtësi, për të rihapur qeverinë dhe për të sjellë drejtësi për popullin amerikan për ligjin e kujdesit shëndetësor," tha zoti Boehner.

Presidenti Obama tha se është gati të negociojë me republikanët dhe zotin Boehner për "një numër çështjesh," por ai tha se zyrtarët nuk mund ta bëjnë këtë me ultimatum.
Qeveria u mbyll të martën pasi Dhoma e kontrolluar nga republikanët dhe senati i drejtuar nga demokratët nuk arritën të bien dakord për një buxhet që do të financonte operacionet qeveritare. Dëshira e republikanëve për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor ka bërë të shtyhet një procedure që normalisht është rutinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG