Lidhje

Franca në rrjedhën e globalizimit, apo jashtë BE-së?


Francezët do të votojnë të djelën në zgjedhjet presidenciale, por do të jetë hera e parë që në zgjedhje nuk konkurrojnë kandidatë nga partitë tradicionale. Votuesit kanë dy alternativa: Emmanuel Macron, një centrist nga e majta që është pro-biznesit, pro-Evropës dhe Marine Le Pen, një nacionaliste që kërkon daljen e Francës nga Bashkimi Evropian dhe ndaljen e emigracionit, veçanërisht nga vendet muslimane.

Fushata ka qenë e ngarkuar emocionalisht, ndërsa Franca vendos nëse do të qëndrojë në rrjedhën e globalizimit, apo do të ndjekë një rrugë të re jashtë Bashkimit Evropian, duke forcuar kufijtë dhe duke e vënë theksin te politikat e brendshme, në përputhje me prirjen që po shihet edhe në vende të tjera.

"Mendoj se unë jam kandidatja më e përshtatshme për të folur me këtë botë të re që po shfaqet, për të folur me Rusinë e Putinit, me Shtetet e Bashkuara të Trumpit, për të biseduar me Britaninë e Teresa May-it, çfarëdo që ajo mund të thotë, për të folur me Indinë e Modit. Sepse të gjitha këto vende pak a shumë po largohen nga ideologjia e tregtisë së lirë, e konkurrencës dhe e minimit të mbrojtjes sociale. Prandaj unë ndihem shumë më pranë filozofisë së tyre politike sesa asaj të zonjës Merkel".

Nacionalistja Marine Le Pen doli e dyta në raundin e parë, por shpreson që premtimet e saj për kthimin e vendeve të punës dhe rritjen e përfitimeve sociale të ndikojnë te votuesit.

Ashtu si në zgjedhjen e Presidentit Trump, votuesit e pazëshëm mund të sjellin një të papritur, edhe pse sondazhet e fundit nxjerrin në krye dhe me shumë diferencë ish-ministrin e ekonomisë Macron:

"Në rrezik nuk është vetëm trashëgimia intelektuale, politike dhe morale e Francës, por edhe e ardhmja e një Europe të bashkuar, e zonja e fateve të veta, e ardhmja e një bote ku ne kemi vendosur të jemi pjesë".

Franca ka ndër nivelet më të larta të papunësisë në Evropë. Veç kësaj një varg sulmesh terroriste islamike kanë ngritur pikëpyetje të mëdha rreth globalizimit dhe atyre që shumë njerëz i shohin si politika të dështuara.

Zonja Le Pen kërkon daljen nga eurozona, ndërkaq e majta dhe qendra e shohin atë si të rrezikshme. Në debatin përfundimtar të fushatës, zoti Macron tha se Le Pen do të provokonte një "luftë civile" në Francë.

Sfida e madhe e zotit Macron është të bindë votuesit se, edhe pse ish-anëtar i administratës së Partisë Socialiste në pushtet, ai do të jetë i ndryshëm. Por përse zoti Macron vazhdon të jetë në krye të sondazheve?

"Sepse ai arriti ta paraqesë veten si i larguar nga klasa politike. Si një i ndryshëm brenda administratës. Se cili do të jetë kuptimi i kësaj përmbysjeje, këtë ende nuk e dimë," - thotë historiani Patrick Weil.

Franca është thellësisht e ndarë, ndoshta më shumë se në çdo periudhë në historinë e saj të pasluftës. Sido që të jetë, zgjedhjet e së dielës do të shënojnë një ndryshim dhe pyetja e madhe është nëse ky do të jetë ndryshimi që vërtet duan votuesit francezë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG