Lidhje

Presidentin Obama e presin sfida të shumta në pjesën e dytë të mandatit

  • Den Robinson

Presidentin Obama e presin sfida të shumta në pjesën e dytë të mandatit

Presidentin Obama e presin sfida të shumta në pjesën e dytë të mandatit

Presidenti Barak Obama është kthyer në Uashington pas një pushimi të zgjatur me familjen në Havai. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Den Robinson, njofton se presidenti po fillon pjesën e dytë të mandatit, ndërsa ka thënë se do të përqendrohet tek ekonomia dhe tek vendet e punës. Ndërkohë, zoti Obama përballet me opozitën republikane, që synon të zhbëjë një nga arritjet e tij më të mëdha legjislative, si dhe me sfida në politikën e jashtme.

Pushimi që zoti Obama pati në Havai do të zëvendësohet së shpejti me kthimin në atmosferën partiake të Uashingtonit, ndërsa presidenti ballafaqohet me ndryshimin në balancën e pushtetit, ngaqë republikanët kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sesioni i 112-të i Kongresit do të fillojë të mërkurën. Arritjet që zoti Obama mund të ketë realizuar nga kompromiset legjislative me republikanët javë më parë, do të vihen në provë ndërsa ai punon për të parandaluar prishjen e reformave të tij historike të shëndetësisë.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë premtuar të fillojnë debatet qysh këtë javë për një masë që propozon shfuqizimin e reformës së shëndetësisë, me mundësinë që të votohet nga mesi i javës së ardhshme. Demokratët janë zotuar të luftojnë për ruajtjen e dispozitave kryesore.

Në një paraqitje në programin televiziv Fox News Sunday, kongresmeni Fred Apton, kryetari i ri republikan i Komisionit të Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë të Dhomës së Përfaqësuesve, sugjeroi se diferenca në vota mund të jetë e mjaftueshme për të rrëzuar edhe veton presidenciale.

“Nuk mendoj se do të jemi larg mundësisë për të rrëzuar veton e presidentit.”

Por analistët politikë thonë se edhe nëse masa për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor kalon në Dhomën e kontrolluar nga republikanët, miratimi do të jetë kryesisht simbolik. Legjislacioni me siguri do të dështonte në Senat, ku demokratët dhe të pavarurit do të kenë sërish shumicën me 53 kundrejt 47 vendeve.

Sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha sërish të hënën se republikanët do të ndërmarrin hapa politikisht të rrezikshëm për të prapsur aspektet popullore të reformës së Presidentit Obama në shëndetësi. Zoti Gibs përmendi ndër ato aspekte mbulimin e zgjeruar të shpenzimeve të kujdesit për fëmijët dhe për ato probleme shëndetësore që njerëzit i kanë patur para pajisjes me sigurim shëndetësor.

Presidenti Obama ballafaqohet me sfida edhe nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga kryetari i ri i Dhomës, Xhon Bejnër, i cili është zotuar të shkurtojë ato shpenzime qeveritare që ai i quan të panevojshme.

Përfaqësuesi republikan nga Kalifornia, Darell Isa, i cili do të kryesojë një panel kyç të hetimeve, Komitetin e Dhomës për Mbikqyrje dhe Reformën Qeveritare, premton se do të hetohen një sërë çështjesh, përfshirë shpenzimet dhe cilësinë e punës.

Presidenti Obama ka thënë se nuk është kundër eliminimit të programeve qeveritare që nuk funksionojnë, por se do të kundërshtonte ashpër shkurtimin e investimeve në arsim dhe në fusha të tjera që ai i quan kritike për rritjen e ardhshme ekonomike.

Në një konferencë shtypi muajin e kaluar, para se të shkonte me pushime, Presidenti Obama u shpreh se nuk ishte “naiv” që të mendonte se nuk do të kishte polemika të ashpra në të ardhmen, por shtoi se priste më shumë bashkëpunim nga republikanët.

“Kemi dëshmuar, pas zgjedhjeve të nëntorit, se kemi aftësi jo vetëm për të bërë përparim, por për të bërë përparim së bashku.”

Zoti Obama tha se e di që do të ketë mosmarrëveshje rreth përparësive të shpenzimeve dhe sfidës së vështirë për pakësimin e deficitit qeveritar prej 1,3 trilionë dollarësh dhe afro 14 trilionë dollarëve të borxhit kombëtar. Amerikanët, shtoi ai, do të përfitojnë më shumë nga një frymë e qëndrueshme e bashkëpunimit, pa marrë parasysh përkatësitë politike në zgjedhjet presidenciale të 2012-ës.

Presidenti fillon pjesën e dytë të mandatit të tij i inkurajuar nga përfitimet në bursën amerikane, por akoma i shqetësuar nga papunësia e lartë, që është rreth 9,8 përqind. Anketat kryesore me mendimin e qytetarëve, pak para kthimit të tij në Uashington, tregonin se përkrahja për presidentin ishte afro, ose nën 50 përqind.

Ditët dhe javët e ardhshme, priten lajme për ndryshime në personelin e Shtëpisë së Bardhë, mes tyre edhe njoftimi zyrtar për zëvendësimin e kreut të këshillit ekonomik të presidentit, Leri Samërs.

Zoti Obama do të përqendrohet gjithashtu në çështjet kryesore të politikës së jashtme. Veç luftës në Afganistan, Shtëpia e Bardhë po vëzhgon me kujdes referendumin e 9 janarit në Sudanin jugor.

Presidenti shpreson njëherësh që Izraeli dhe palestinezët të tejkalojnë pengesat dhe mosmarrëveshjet nga viti i kaluar dhe të përparojnë në përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme. Një ndihmës i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Denis Ros, shkon për një tjetër udhëtim në rajon këtë javë.

XS
SM
MD
LG