Lidhje

Presidentja e Kosovës për Gjykatën e Posaçme dhe EULEX-in

  • Leonat Shehu

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Bashkimi Evropian themelimin e gjykatës së Posaçme dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë. Pas takimeve që pati me përfaqësuesit e partive politike parlamentare në vend, presidentja tha se do t'i çojë letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, ku do t’i kërkohet vazhdimi i mandatit të EULEX-it dhe krijimit të Gjykatës së Posaçme.

Presidentja e Jahjaga tha se “krijimi i gjykatës së veçantë pasqyron angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me këto akuza në mënyrë të besueshme. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi”, tha presidentja Jahjaga

Themelimi i Gjykatës së Posaçme dhe vazhdimi i mandatit të EULEX-it që duhet të votohen nga Parlamenti i Kosovës, sipas të gjitha gjasave pritet të ndodh javën e ardhshme, por së pari duhet të përcillen letërkëmbimet ndërmjet presidentes së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ideja për një gjykatë të tillë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ideja është që gjykata e themeluar nga Kosova të veprojë brenda dhe jashtë saj, për të mundësuar siç thuhet mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të dokumenteve.

Ngritja e një gjykate të posaçme për Kosovën, do ta bëjë atë vendin e vetëm në rajon që do të përballet me një mekanizëm të tillë, që për vëzhguesit është i panevojshëm duke pasur parasysh edhe faktin se në Kosovë vepron misioni me i madh evropian për policinë dhe drejtësinë.
XS
SM
MD
LG