Lidhje

Presidentja e Kosovës i bën thirrje Vetëvendosjes të heq dorë nga protestat


Presidentja e Kosovës i bën thirrje Vetëvendosjes të heq dorë nga protestat

Presidentja e Kosovës i bën thirrje Vetëvendosjes të heq dorë nga protestat

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i ka bërë thirrje lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga protestat dhe të angazhohet brenda institucioneve për zgjidhjen e të gjitha çështjeve. Në një komunikatë për shtypin, presidentja Jahjaga e cila ndodhet për një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, thekson se “ajo që ndodhi më 14 janar gjatë protestave së Lëvizjes “Vetëvendosje” për bllokimin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë nuk është një pamje e mirë dhe reale për Kosovën. Një situatë e tillë që po ndodh në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese të vendit rrezikon ta kthejë Kosovën prapa, në përpjekjen e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike”.

Para zhvillimit të protestave të së shtunës, presidentja Jahjaga kishte shprehur qëndrimin se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale dhe se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore. Veprimi institucional është mënyra e vetme dhe më e mirë për adresimin dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, thuhet në komunikatë.

Presidentja thekson se policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë publike dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave, ndërsa mirëpret thirrjen e Qeverisë së Kosovës për vlerësimin e veprimeve të policisë së Kosovës në ditën e protestës.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog. Në këtë kuadër, ajo i bën thirrje lëvizjes Vetëvendosje, që “të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Parlament dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.

Ajo u bën thirrje të gjithë qytetarëve që “të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në asnjë cep të Republikës së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për të dielën më 22 janar protesta të reja për siç thuhet zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë.

Të shtunën e kaluar, disa dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë u lënduan, ndërsa 150 veta u arrestuan gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestave.

XS
SM
MD
LG