Lidhje

Presidentja Jahjaga: Arrestimet në Luginën e Preshevës – politike


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka cilësuar politike arrestimet e shqiptarëve në luginën e Preshevës. Në një reagim të zyrës së saj, thuhet se presidentja Jahjaga shpreh shqetësimin për aksionin e dhunshëm të Policisë së Serbisë në Luginën e Preshevës.

Ajo vlerëson se “aksioni ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri tek popullata shqiptare duke nxitur shpërnguljen e saj nga trojet e veta në atë pjesë të shtetit të Serbisë dhe duke ia mohuar të drejtat e saj legjitime”.

Presidentja Jahjaga kërkon që shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Serbisë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa frikë nga përndjekjet policore.

“Deklaratat e zyrtarëve të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë. Pozita e komunitetit serb në Kosovë dhe ajo e komunitetit shqiptar në Serbi, duhet të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Presidentja e Kosovës u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe “që ta zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Konçulit, e cila i dha fund luftës në luginën e Preshevës, të lirojnë menjëherë të gjithë të arrestuarit dhe që shqiptarëve në atë zonë, t’u sigurojnë të gjitha të drejtat qytetare dhe kombëtare, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet demokratike dhe ashtu siç bënë Republika e Kosovës me të gjitha komunitetet etnike”.

Presidentja Jahjaga me këtë rast u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës “që duke respektuar ligjet e vendit dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunat e Medvegjes, të Bujanocit dhe të Preshevës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e vet legal dhe legjitim, të kenë pushtetin në këto troje, në mënyrë që vet të vendosin për të ardhmen e tyre Në këtë si gjithherë do ta kenë përkrahjen e Republikës së Kosovës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e presidentes Atifete Jahjaga.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG