Lidhje

Pretendentët republikanë për president zotohen se do të mbështesin Izraelin


Pretendentët republikanë për president zotohen se do të mbështesin Izraelin
Pretendentët republikanë për president zotohen se do të mbështesin Izraelin

Kandidatët republikanë për president këtu në Shtetet e Bashkuara kritikuan me radhë dje në Uashigton politikat e Presidentit Barak Obama ndaj Izraelit dhe Iranit.

Pretendentët republikanë për Shtëpinë e Bardhë diskutuan çështje të politikës së jashtëme në përgjithësi dhe veçanërisht marrëdhëniet me Izraelin, kur folën dje në Koalicionin Republikan Hebraik.

Të gjashtë kandidatët që folën kritikuan administratën Obama se ka qënë në mënyrë të panevojshme e ashpër me Izraelin dhe nuk ka qënë e ashpër sa duhet me Iranin dhe ambicjet e tij bërthamore.

Mes tyre ishte kryesuesi i ri i garës së republikanëve, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç.

“Përse të mos i themi Hamasit, hiq dorë nga dhuna dhe eja në tryezën e bisedimeve. Përse të mos i themi Autoritetit Palestinez, njih Izraelin dhe eja në tryezën e bisedimeve. Ky presion i njëanshëm, duke presupozuar se është gjithmonë faji i Izraelit, pavarësisht se sa i keq është qendrimi i palës tjetër, duhet të marrë fund”.

Gingriç ka dalë në krye, para ish guvernatorit të shtetit Mesaçusets, Mit Romni, në anketat kombëtare dhe në sondazhet e votimeve para zgjedhjeve në shtete të tilla si Ajovo dhe Karolina e Jugut.

Edhe zoti Romni foli në Koalicionin Republikan Hebraik dhe tha se politikat e Presidentit Obama i kanë inkurajuar ekstremistët palestinezë dhe kanë sprapsur perspektivën e paqes.

Zoti Romni tha se nëse zgjidhet president në nëntor të vitit të ardhshëm, vizitën e parë jashtë vendit do ta bëjë në Izrael.

“Dua që bota ta dijë se lidhjet ekzistuese me Izraelin janë të patundëshme. Unë dua që çdo vend në rajon që ndjek politika agresive ndaj Izraelit duhet ta dijë se ambicjet e tij janë të pafrutshme dhe për më tepër do të jenë tepër të kushtueshme”.

Romni dhe Gingriç kritikuan gjithashtu administratën Obama se ka bërë shumë pak për të ndalur përpjekjet e Iranit për të zhvilluar një program armësh bërthamore.

Edhe kandidatë të tjerë republikanë që folën në forum shprehën shqetësimet e tyre për ambicjet bërthamore të Iranit.

Ish senatori nga Pensilvania, Rik Santorum, kujtoi punën e tij në Kongres për të përqendruar vemendjen tek Irani si kërcënim, si ndaj Izraelit ashtu edhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne të gjithë e kishim të qartë se kërcënimi real ndaj shtetit të Izraelit, kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në një periudhë afatgjatë ishte teokracia e Iranit”.

Guvernatori i shtetit Teksas, Rik Peri dhe përfaqësuesja e Minesotës, Mishellë Bakman, ishin gjithashtu mes atyre që folën në grupin republikan hebraik.

I vetmi mes kandidatëve kryesorë republikanë që nuk ishte ftuar të fliste, ishte kongresemeni nga Teksasi Ron Pol, i cili ka thënë se si president do të mbështeste përdorimin e forcës ushtarake për ta parandaluar Iranin të zhvillonte aftësi për prodhimin e armëve bërthamore.

Zyrtarë të administratës Obama thonë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht Izraelin. Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Valeri Xharret i tha kanalit televiziv MSNBC se Presidenti Obama “është thellësisht i preokupuar për Izraelin në mënyrë personale” dhe se “angazhimi i administratës ndaj Izraelit është i fuqishëm dhe i palëkundur”.

XS
SM
MD
LG