Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut dhe Nevada


Republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton janë fituesit e mëdhenj të raundit më të fundit të zgjedhjeve paraprake të së shtunës. Zoti Trump fitoi me lehtësi në Karolinën e Jugut, ndërsa zonja Clinton arriti një fitore të ngushtë ndaj Senatorit Bernie Sanders në Nevada.

Ishte një fitore e qartë për Donald Trump në Karolinën e Jugut pas një fushate të ashpër, gjatë së cilës kandidatët kryesorë shkëmbyen akuza për gënjeshtra dhe mashtrime të ulëta politike.

“Nuk është aspak e lehtë të kandidosh për president. Është mizore, por dhe e bukur. Është bukur kur fiton dhe ne do ta arrijmë fitoren për vendin tonë.”

Zoti Trump la mbrapa rivalët Marco Rubio dhe Ted Cruz, të cilët tashmë po konkurojnë për vendin e dytë. Rubio arriti rezultat të mirë me ndihmën e guvernatores popullore të Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

"Mesazhi i sotshëm në Karolinën e Jugut është shumë i qartë. Vendi është i gatshëm të udhëhiqet në shekullin e 21-të nga një brez i ri konservatorësh.”

Ted Cruz u paraqit si i vetmi konservator i vërtetë në këtë garë.

“Mund të shkoni pas marifetxhinjve të Uashingtonit, ose mund t’i bashkoheni një konservatori të sprovuar për t’i risjellë agimin Amerikës.”

Të mbetur prapa në rezultate ishin John Kasich, Ben Carson dhe Jeb Bush, i cili vendosi se ka ardhur momenti të lërë garën.

“Njerëzit në Iowa, New Hampshire dhe Karolinën e Jugut folën dhe unë respektoj vendimin e tyre. Prandaj sot unë po ndërpres fushatën time.”

Në garën e demokratëve, Hillary Clinton përballoi një sulm të minutës së fundit nga Bernie Sanders, dhe fitoi ngushtë në Nevada.

“Tashmë do shkoj në Teksas, ndërsa Bill në Kolorado, për të vazhduar betejën! E ardhmja që dëshirojmë është afruar! Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!”

Kjo fitore mund t’i shtojë edhe më shumë shanset për ish-sekretaren e shtetit në zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut.

Por, zoti Sanders premtoi se do ta vazhdojë betejën.

“Kam besim se kur të mblidhen demokratët në konventën e korrikut në Philadelphia, do të shohim rezultatin e një prej përmbysjeve më të mëdha politike në historinë e Shteteve të Bashkuara.”

Kandidatët e të dyja kampeve po përgatiten tani për të ashtuquajturën super-e martë, më datë 1 mars, kur 13 shtete organizojnë njëkohësisht zgjedhje paraprake.

XS
SM
MD
LG