Lidhje

Printerat tre dimensionalë


Imagjino të kesh një ide, ta vizatosh në letër, dhe pastaj ta marrësh letrën në një dyqan për të kërkuar që ai vizatim të kthehet në një objekt fizik brenda disa orëve. Kjo tashmë është e mundshme për blerësin e thjeshtë me ndihmën e printerave 3 dimensionalë, shkurt 3D. Këto aparatë më parë përdoreshin vetëm nga universitetet dhe korporatat e mëdha, por tani, dyqanet që ofrojnë shërbimet e printerave 3D po përhapen nëpër Shtetet e Bashkuara për këdo që dëshiron të shohë idenë e tyre të kthyer në realitet.

Printerat 3D krijojnë objekte nga allçia. Bryan Jaycox dhe bashkëshortja e tij hapën dyqanin The Build Shop LLC në Los Anxheles dy vite më pare, dhe tani ofrojnë klasa rreth printerave 3D dhe shërbime për to:

“Mendoj se printimi 3 dimensional do të bëhet diçka e madhe, do të ketë ndikim të madh në shoqëri.”

Zoti KiChong Tran ka në plan të ndihmojë në Kamboxhia, duke hapur një dyqan me printer 3D atje.

“Përfytyroj një vend ku njerëzit mund të vijnë me idetë e tyre, me një vizatim të thjeshtë, dhe ne e shndërrojmë atë vizatim në një objekt 3 dimensional.”

Shërbimet e printimit 3D po përhapen kudo nëpër Shtetet e Bashkuara. Shërbimi postar UPS, kohët e fundit instaloi printera 3D në tre nga filialet e tij, duke përfshirë këtë në San Diego, ku pronar është Burke Jones:

“Kërkesa ka qenë e mrekullueshme dhe shumë më tepër nga sa unë kisha imagjinuar.”

Zoti Mark Denney, i UPS-së, thotë se klientët janë të ndryshëm.

“Çdokush që ka hapur një biznes të ri, shpikës, inxhinier që kanë një nevojë për të prodhuar diçka si kjo.”

Raymond Yuhasz rregjistron video kur zhytet në det. Ai projektoi këtë mbajtës për një filtër për lenten e kameras.

...kështu që në vend që të kenë një pamje të errët, videot e tij duken më natyrale.
Prodhimi i shpikjes së tij në një printer 3D kushton vetëm 43 dollarë.

“Për të bërë diçka si kjo duke përdorur metoda të tjera do të kushtonte disa mijëra dollarë.”

Sikurse me çdo lloj teknologjie, ekspertët parashikojnë përmirësimin e shpejtësisë dhe çmimit të printimit. Ndërkohë, Bryan Jaycox kërkon 15 dollarë në orë për të printuar një objekt, plus një tarifë e cila varet nga përmasat e objektit, dhe deri në 50 dollarë në orë për shërbimet e projektimit dhe të punës. Tek dyqani UPS, çmimi varet nga sasia e materialeve të përdorura. Ata kërkojnë deri në 95 dollarë në orë për të projektuar një objekt me programin e tyre, i cili krijon një fotografi dixhitale që bën të mundur printimin.
Zoti Jaycox parashikon se brenda pesë vitesh, teknologjia e printimit 3D do të bëhet më e dobishme për blerësit. Por KiChong Tran thotë se edhe teknologjia e tanishme mund të ndihmojë në vende në zhvillim si Kamboxhia.

“Me printimin 3D mund t’i jepni njerëzve mjetet, në mënyrë që ata të jenë përgjegjës për zhvillimin e tyre dhe ata të mësojnë aftësi të tjera veç të mësuarit anglisht dhe punimit si ciceron ose në një bankë, mund të krijojnë gjëra që kanë vlerë për botën.”

Dhe ai thotë se nuk është vetëm Kamboxhia . Kudo në botë ku ka një printer 3D, një ide e mirë mund të kthehet në realitet.
XS
SM
MD
LG