Lidhje

Cilat janë prirjet teknologjike për vitin 2012


Cilat janë prirjet teknologjike për vitin 2012
Cilat janë prirjet teknologjike për vitin 2012

Gjatë vitit 2011 kompanitë e teknologjisë pasuruan dhe përmirësuan mjete të krijuara një vit më parë, si kompjuterat tabletë dhe pajisjet elektronike të leximit. Ky vit pritet gjithashtu të vazhdojë në këtë rrugë përmirësimesh me rrjete shumë të shpejta interneti 4G, tableta leximi me ngjyra si dhe një aparat kafeje i cili lexon shenjat e gishtave dhe përgatit pijen tuaj të preferuar.

Tani që shitja e muzikës dixhitale po tejkalon atë të disqeve të albumeve, brezi i ri i adhuruesve të muzikës dëshiron të ketë cilësinë më të mirë të mundshme të tingujve. Kufjet e krijuara nga stilistë modernë janë një nga mjetet më në modë për momentin.

Gennaro Castaldo, zëdhënës i dyqanit me pajisje muzikore dhe elektronike HMV, thotë se për shkak të situatës së vështirë ekonomike njerëzit kërkojnë pajisje luksi që nuk janë tepër të shtrenjta dhe kufjet sipas tij hyjnë në këtë kategori.

“Shitja e kufjeve po shkon mjaft mirë pasi, unë mendoj, se njerëzit po e kuptojnë që, nëse dëshirohet të vlerësohet muzika dixhitale, nuk mund të përdoren më thjesht kufjet e vogla por duhen ato të përshtatshmet. Ato që kryesojnë shitjet janë kufjet “Beats - by Dr Dre”, ata me zgjuarsi vunë re një zbrazëti në treg,” thotë zoti Castaldo.

Modeli i kufjeve Beats janë nxjerrë në treg nga producenti i muzikës hip hop Dr Dre. Ato janë të specializuara për dëgjimin e muzikës në formatin dixhital.

Shumë të preferuar nga blerësit janë edhe kompjuterat tabletë. Viti 2011 ishte një vit shumë i suksesshëm për pajisjet kompjuterike me përdorim prej ekranit. Në treg doli modeli i dytë iPad-it, i kompanisë Apple, si dhe pati modele konkurrente të Asus, BlackBerry dhe Samsung. Megjithatë, pritet që gjatë këtij viti disa prej konkurrentëve të kompanisë Apple të dalin nga tregu për shkak të suksesit tepër të lartë të iPad-it.

Parashikimi për televizorët 3 dimensionalë në vitin 2010 ishte se do të ishin një produkt i suksesshëm në vitin në vazhdim por ata nuk arritën ta bënin për vete publikun.

Edhe pse ulja e çmimeve të pajisjeve të nevojshme për përdorimin e televizorëve 3D duket të ketë shtuar shitjen e tyre, Duncan Bell, redaktor i revistës mbi teknologjinë T3, thotë se suksesi i tyre nuk është aspak bindës.

“Në shumicën e rasteve njerëzit blejnë televizorë 3 dimensionalë sepse thjesht duan të blejnë një televizor dhe ai rastësisht është 3D. Unë nuk mendoj se ata po kërkojnë në mënyrë specifike të blejnë një televizor 3D.”

Sipas zotit Bell arsyeja kryesore është mungesa e programeve të transmetimit në format 3 dimensional.

Kompania e shitjeve në internet Amazon njoftoi se gjatë periudhës së festave të fundvitit arriti të shiste më tepër se 1 milionë tableta leximi Kindle në javë. Këto shifra vazhduan për rreth tre javë.

Por viti 2012 do të jetë i rëndësishëm për Amazon, ndërkohë që kompania promovon versionin me ngjyra të pajisjes e quajtur Kindle Fire. Tableta Kindle Fire u nxor në treg në Shtetet e Bashkuara më 15 nëntor të vitit të kaluar me një çmim prej 199 dollarësh, shumë më pak se çmimi i iPadit.

Industria e teknologjisë së komunikacionit po përgatitet për një përhapje të gjerë të rrjetit të internetit 4G. Duke pasuar atë 3G, rrjeti i ri i internetit pa fije do të bëjë të mundur një shpejtësi shkarkimi prej rreth 100 Mbit në sekondë.

Në panairin e pajisjeve elektronike i zhvilluar në Las Vegas në fillimin e vitit 2011, drejtori ekzekutiv i kompanisë Verizon Ivan Seidenberg u shpreh mjaft optimist.

“Kjo është një nga periudhat më novatore në historinë e teknologjisë dhe industria e komunikacionit është e privilegjuar të jetë në qendër të këtij revolucioni. Në fakt mund edhe të thuhet që ne ndihmuam në krijimin e tij.”

Por jo të gjitha krijimet në teknologji janë të domosdoshme. Mendoni se ajo që ju duhet është pikërisht një aparat për bërjen e kafesë i cili lexon shenjat e gishtave dhe përgatit pijen tuaj të preferuar? Shanset janë që jo.

Por Duncan Bell thotë që ekspresi Philips Saeco Xelsis do të jetë një nga pajisjet më interesante për vitin 2012.

“Aparati i kafesë i kompanive Philips e Saeco aktivizohet me anë të shenjave të gishtave. Unë mendoj se është një shembull i mirë i përdorimit të një elementi teknologjik në një pajisje për të cilën ai nuk është i nevojshëm. Besoj se synon të tërheqë lloje të veçantë njerëzish të cilët dëshirojnë të përjetojnë një moment kafeje të tipit James Bond. Aparati, duke njohur shenjat e gishtit, arrin të dallojë kush je dhe, në bazë të asaj që ishte përgatitur më parë, të ofron të njëjtin lloj kapuçinoje apo ekspresi që ti preferon.”

Nëse jeni përgjumësh në mëngjes dhe mendja juaj ende muk punon siç duhet, ndoshta thjesht vendosja e gishtit përballë skanerit është mënyra më e mirë për të nisur ditën.

XS
SM
MD
LG