Lidhje

Prishtina e Beogradi pa marrëveshje për situatën në Mitrovicë

  • Leonat Shehu

Takimi në Bruksel, ndërmjet zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri dhe shefit të zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuric, u cilësua si mjaft i rëndë dhe me tensione.

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit përfunduan pa ndonjë rezultat bisedimet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e situatës në zonën përgjatë lumit Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës.

Në një njoftim të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se ata janë pajtuar që të formojnë një grup punues që do të takohet më 22 korrik në Bruksel.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga cdo veprim në apo afër urës kryesore apo urave të tjera pa marrëveshje paraprake”, thuhet në njoftimin e zyrës së zonjës Ashton.

Zonja Ashton ka kërkuar që palët të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë në pajtim me marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe në frymën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kërkesa e saj pasoi zhvillimet e fundit në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Grupe qytetarësh shqiptarë që jetojnë në “lagjen e boshnjakëve”, një lagje me popullsi të përzier në veriun e Kosovës ngritën gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes, një shesh me emrin Adem Jashari, të cilin shqiptarët e njohin si komandantin legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa në natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes në fshatin Suhodoll në pjesën veriore grupe qytetarësh shqiptarë ngritën një shesh tjetër me emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto veprime u bënë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të autoriteteve lokale serbe në veriun e Mitrovicës për shndërrimin në shëtitore të rrugës kryesore në bregun verior të lumit Ibër që shënon vijën ndarëse të këtij qyteti.

Rruga që do të jetë e hapur vetëm për këmbësorë, do të quhet me emrin e princit mesjetar serb Llazar Herbeljanoviç, i cili ishte vrarë në betejën mesjetare të Kosovës në qershor të vitit 1389. Rruga lidhë zonat me popullsi të përzier në pjesën veriore dhe prekë cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, e cila është mbyllur ditë më parë me ngritjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, i cili zëvendësoi një barrikadë prej dheu e betoni që kishte mbajtur të mbyllur urën për tre vjet me radhë.

Takimi i sotëm në Bruksel, ndërmjet zëvendëskryeministres në largim të Kosovës, Edita Tahiri dhe shefit të zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuric, nga të dyja palët u cilësua si mjaft i rëndë dhe me tensione.

Mbyllja e urës kishte nxitur reagime të autoriteteve lokale dhe të institucioneve në Prishtinë që i bënë thirrje Bashkimit Evropian të largojnë barrikadën. Banorët shqiptarë thanë se duan të tërheqin vëmendjen e institucioneve të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme ndaj veprimeve të serbëve në zonë. Në të kundërtën, thanë ata, do të ngrihen sheshe të reja në zonat ku banojnë shqiptarët në veriun e Mitrovicës.

Autoritetet lokale serbe thanë se ngritja e sheshit është bërë pa lejen e organeve të ligjshme në atë zonë, ku për herë të parë është ngritur pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet e organizuara nga Prishtina.

Mbajtja e zgjedhjeve ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Pjesë e marrëveshjeve në këto bisedime që Serbisë i siguruan hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendosja e plotë e lirisë së lëvizjes në veri.

XS
SM
MD
LG