Lidhje

Prishtina kërkon hetime për raportin e Dik Martit, EULEX-i kërkon dëshmi

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Prishtina kërkon hetime për raportin e Dik Martit, EULEX-i kërkon dëshmi

Prishtina kërkon hetime për raportin e Dik Martit, EULEX-i kërkon dëshmi

Përfaqësues politikë të Kosovë thonë se miratimi i raportit të senatorit zviceran Dick Marty nga Këshilli i Evropës është një veprim që e dëmton Kosovën, ndërsa shprehen të gatshëm për të bashkëpunuar në hetimin e të gjitha pretendimeve të ngritura në atë raport.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, kërkon nga zoti Marty që të dorëzojë të gjitha dëshmitë nga raporti i tij, me çka do të mundësohej fillimi i hetimeve. Dje Asambleja Këshillit të Evropës miratoi me vetëm tetë vota kundër, raportin e senatorit Dick Marty, në të cilin ngrihen pretendime ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e organeve njerëzore.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se kjo e ka dëmtuar imazhin e Kosovës ndërsa ka ritheksuar gatishmërinë për të mbështetur çdo hetim të pretendimeve të ngritura.

“Sa i përket çështjeve që janë përfshirë në rezolutë, ne ndoshta kemi qenë të parët që kemi kërkuar që të nisë edhe një proces hetimor, i cili përfundimisht do të hidhte dritë mbi të vërtetën për sa i përket atyre spekulimeve dhe shpifjeve në formë të pohimeve në raportin e Dick Marty-t. Edhe pse tashmë tre herë janë bërë hetime ndërkombëtare për këto çështje dhe përfundimet që janë nxjerr kanë qenë se nuk ka asnjë dëshmi për diçka të tillë, ne kemi bërë thirrje që Eulex-i të filloj sa më shpejt me një proces hetimor profesional e kompetent dhe shpresojmë të shpejtë, për t'i dhënë vulën e të vërtetës këtyre spekulimeve jashtëzakonisht të dëmshme”, tha ai.

Zëdhënësi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Blerim Krasniqi tha se hetimet nuk mund të fillojnë para se zoti Marty t’i ofrojë dëshmitë për çështjet e ngritura në raportin e tij.

“Eulex-i deri më tani i ka dërguar dy letra zotit Marty, ku i ka kërkuar të sjellë dëshmi dhe prova, deri më tani nuk kemi marr dhe jemi në pritje. Prokurorisë i duhen dëshmi dhe prova në mënyrë që të fillohet ndonjë rast i hetimit të mundshëm”, tha ai.

Zoti Marty tha dje se ka “dëshmitarë besueshëm”, por sipas tij ata janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendase apo asaj ndërkombëtare. Ai ngriti edhe çështjen e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila edhe sot është diskutuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku deputeti nga Monakoja, Zhan Sharl Zhordeto, bëri thirrje që vendet e Ballkanit të mbrojnë plotësisht dëshmitarët në proceset për krime lufte. Në raportin e tij mbi këtë çështje ai ka theksuar se situata me dëshmitarët e mbrojtur në Kosovë është dukshëm më keqe se në vendet e tjera.

Zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi thotë se kjo çështje do të zgjidhet me ligjin që tashmë është hartuar dhe miratuar nga qeveria e Kosovës.

“Ne si qeveri kemi përgatit ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Fatkeqësisht pas krizës institucionale që u shkaktua me daljen e papritur të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga institucionet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ka qenë e pamundshme që të miratohet një ligj i tillë në mungesë të kuvendit, por, ne besojmë se shumë shpejt me qenë se ligji është i gatshëm do ta miratojmë këtë ligj, i cili do të jetë një pikënisje tepër e rëndësishme për sa i përket çështjes së mbrojtësve të dëshmitarëve”, tha zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi.

Ndërsa, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi thekson se ky mision ka mekanizma për mbrojtjen e të dëshmitarëve që janë përdorur edhe në të kaluarën.

“Ajo që më duhet të theksojë është se Eulex-i ka një njësit për mbrojtjen e dëshmitarëve, njësit që bashkëpunon me shtetet e Bashkimit Evropian. Deri më tani ka pasur disa raste të suksesshme ku janë mbrojtur dëshmitarët. Për momentin ky njësit ka kapacitete që i nevojiten për punën që e bënë, në rast se shihet nevoja ose bëhet kërkesa që të ketë një numër më të madh, atëherë ky njësit do t'i përshtatet kërkesave që do të parashihen të ardhmen”, tha zëdhënësi i Eulex-it, Blerim Krasniqi.

Zoti Marty, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore.

XS
SM
MD
LG