Lidhje

Pritet që al-Kaida të tentojë të hakmerret për vrasjen e bin-Ladenit


Pritet që al-Kaida të tentojë të hakmerret për vrasjen e bin-Ladenit
Pritet që al-Kaida të tentojë të hakmerret për vrasjen e bin-Ladenit

Zyrtarët amerikanë dhe analistët e sigurimit po paralajmërojnë se vdekja e udhëheqësit të al-Kaidës Osama bin Laden ka të ngjarë të sjellë veprime hakmarrëse me dhunë kundër amerikanëve dhe objektivave të tjera.

Vrasja e bin Ladenit vjen rreth një dekadë pas sulmeve katastrofike të terroristëve të al-Kaidës në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001.

Një ekip komandosh amerikane kreu operacionin në Abotabad të Pakistanit, një zonë e pasur jo larg kryeqytetit, Islamabad.

Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi menjëherë një paralajmërim gjithëbotëror, në të cilin thotë se vrasja e tij mund të shkaktojë dhunë kundër amerikanëve.

Zyrtarët amerikanë theksuan se vdekja e bin Ladenit nuk do t’i japi fund luftës kundër terrorizimit. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha:

"Vazhdimi i bashkëpunimit do të jetë po aq i rëndësishëm në ditët e ardhëshme, sepse megjithë këtë arritje, ne nuk duhet të harrojmë se lufta për të asgjësuar al-Kaidën dhe veprimtaria e saj terroriste nuk kanë marrë fund me vdekjen e bin Ladenit”.

Që nga sulmet e 2001, masat e sigurimit janë forcuar ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara, në zyrat qeveritare dhe në shumë pika të tjera.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se nuk do të lëshojë ndonjë paralajmërim lidhur me vdekjen e bin Ladenit, por tha se agjencia është në nivelin më të lartë të vigjilencës.

Përdoruesit e metrosë në Uashington vunë re se më shumë oficerë me uniformë patrullonin stacionet.

Në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Los Anxelosit, zyrtarët thanë se nuk kanë marrë asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë terrorist si rezultat i vdekjes së bin Ladenit, por do të vazhdojnë të mbajnë një prani të dukshme të forcave të rendit për të mbrojtur udhëtarët.

Analisti Robert Gatman i Universitetit Xhons Hopkins thotë:

"Operacioni nuk ka marrë fund. Mendoj se masat e sigurisë do të forcohen në gjithë Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Nju Jork, Uashington dhe Londër”.

Analistët thotë se vitet e fundit bin Ladeni ka patur një rol kryesisht simbolik tek al-Kaida dhe grupet e lidhura me të nëpër botë kanë qënë rreziku kryesor për amerikanët brenda dhe jashtë vendit. Riçard Ueitz është analist në Institutin Hadson.

"Ne të gjithë e dimë se fillimisht situata do të përkeqësohet për shkak të ndonjë forme hakmarrjeje, nëse ata do të jenë në gjendje ta realizojnë”.

Presidenti amerikan, Barak Obama, thotë se vdekja e bin Ladenit do ta bëjë botën më të sigurt, por bëri këtë paralajmërim për të ardhmen:

"Nuk ka asnjë dyshim se al-Kaida do të vazhdojë të kryejë sulme kundër nesh. Ne duhet dhe do të qendojnë vigjilentë brenda dhe jashtë vendit”.

Ekspertët thonë se megjithë që një sulm i përmasave të 11 shtatorit ka më pak të ngjarë, kërcënimi është më kompleks dhe më i sofistikuar se asnjëherë tjetër gjatë dekadës së fundit.

XS
SM
MD
LG