Lidhje

Privilegjet dhe presionet e familjes mbretërore britanike

  • Henri Rixhuell

Privilegjet dhe presionet e familjes mbretërore britanike

Privilegjet dhe presionet e familjes mbretërore britanike

Pas pak ditësh, më 29 prill, Princi William do të martohet me të fejuarën e tij Catherine Middleton, në një ceremoni që pritet të shikohet nga miliarda njerëz në gjithë botën. Vëzhguesit e kanë vlerësuar princeshën e ardhshme si një fytyrë të re joshëse për familjen mbretërore. Ndërsa jeta e saj para se të fejohej me princin William nuk ka qënë gjithnjë e lehtë, tani atë e pret një jetë me privilegje të jashtëzakonshme, që do të jenë në qendër të vemendjes së botës.

Ishte momenti i shumë pritur nga dashamirët e familjet mbretërore në gjithë botën. Në nëtor të vitit të kaluar, Princi William dhe Catherine Middleton dolën para kamerave për të shpallur fejesën.

"Ne jemi shoqëruar bashkë për një kohë të gjatë dhe kemi folur për të ardhmen tonë. Fejesa duket si një hap i natyrshëm për ne të dy".

Historia e çiftit mbretëror daton gati para 10 vjetësh, në qytetin skocez të Shën Andreut, ku princi filloi studimet universitare në vitin 2001. Pikërisht këtu, i mbrojtur nga ndërhyrja e medias, Princi u njoh për herë të parë me studenten Kate Middleton.

Vëzhguesit spekullojnë se ky ka qënë momenti kur princi ia vuri syrin Katit, ndërsa ajo modeloi në një konkurs fustanesh të tejdukshme. Thuhet se ai i pëshpëriti në vesh një shoku, duke i thënë, "Shiko sa tërheqëse është ajo!"

Ata u bënë miq dhe jetonin në një shtëpi me studentë të tjerë. Koha e saktë se kur filluan të dalin bashkë nuk dihet, por pronarja e një kafeneje të vogël, ku sipas saj William i vinte vërdallë Katit, thotë se ata mund të kenë filluar të shoqërohen shumë më parë.

"Kate vinte këtu me shoqet e shokët e saj, po ashtu edhe William, pra ata ishin bashkë në të njëjtën ndërtesë, por nuk uleshin bashkë. Më pas kur dëgjuam se ata filluan të takoheshin me njeri tjetrin, ne bëmë lidhjen e arsyeve se pse ata edhe më parë shkonin në të njëjtat vende, megjithëse jo medoemos së bashku".

Pas diplomimit, çifti përsëri tërhoqi vemendjen e medias nëpër botë, madje kjo arriti kulmin në vitin 2007 kur William u shkëput nga Kate për disa muaj. William ishte mëse i vendosur ta mbronte Kate nga syri i kamerave që ndoqën nënën e tij. Avokatët e familjes mbretërore paralajmëruan fotoreporterët që të mbajnë distancë nga çifti i ri mbretëror.

William dhe Kate filluan të kalonin kohë së bashku dhe në tetor të vitit të kaluar William më në fund i propozoi Kates ndërsa ishin me pushime në Kenia dhe i dha asaj unazën e nënës së tij, të ndjerës Diana. Kate, ose Princesha Catherine siç do të njihet ajo pas martesës, është gati të hyjë në një botë të njohur vetëm nga pak njerëz të privilegjuar.

Sfida më e madhe që e pret Kate është krahasimi i pashmangshëm, që do t’i bëhet asaj me Princeshën Diana. Diana ishte vetëm 20 vjeç kur u martua me Princin Charles. Britania dhe pjesa më e madhe e botës u bënë rob të tyre.

Megjithëse Kate Middleton u rrit në një familje të pasur, prindërit e saj janë brezi i parë milioner, që e arritën pasurinë nëpërmjet një biznesi në internet nga shtëpia e tyre në perëndim të Londrës. Më parë, nëna e Katit punonte si çdo grua e zakonshme dhe familja e saj kishte punuar në industrinë e qymyrgurit dhe në zanatin e kasapit.

Në një vend ku prejardhja klasore shihet ende me interes, është folur shumë rreth faktit që një femër e zakonshme do të jetë pjesë e familjes mbretërore. Xho Litël, editor i revistës Majesty, që i kushtohet familjes mbretërore, thotë se e kaluara e Katit do të ketë përfitime për të.

"Kate është një frymë e re. Unë guxoj të them se në familjet mbretërore të Britanisë nuk ka pasur një fytyrë joshëse për një farë kohe dhe tani ne do të përjetojmë një gjë të tillë. Pas dasmës do të flasim për fëmijët e tyre, shpresoj shumë shpejt, dhe ata do të jenë brezi i ardhshëm i mbretërve dhe mbretëreshave".

Sapo të përfundojnë muajin e mjaltit dhe para se të fillojnë detyra të tilla bretërore si pritja e personaliteteve botërore dhe udhëtimet jashtë vendit, William dhe Catherine do të banojnë në shtëpinë e tyre në ishullin e largët Anglesey, ku princi po shërben si pilot helikopteri në misione kërkim-shpëtimi.

Ndërsa William është mësuar për një kohë të gjatë me jetën e mbyllur e të mbrojtur si princ i familjes mbretërore, Katherinën e pret një udhëtim privilegjesh dhe presionesh të rralla, duke filluar këtë të premte me vetë martesën dhe dasmën.

XS
SM
MD
LG