Lidhje

Vonesat e para me listat e votuesve


Ka ende shumë njësi të qeverisjes vendore ku listat nuk janë publikuar.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehu shqetësim mbi vonesat që, sipas tyre, po sjell administrata shtetërore në publikimin e listave të votuesve për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Koalicioni, që ka bashkuar disa organizata me përvojë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore, deklaroi se afatet ligjore në publikimin e listave të votuesve janë shkelur në një numër të konsiderueshëm të njësive të pushtetit vendor.

Shqetësimi i tyre ka nisur qysh nga 9 janari kur u shkelën afatet e para, dhe deri sot kur ishte një afat i dytë, kur sipas deklaratës, ende një pjesë e konsiderueshme e institucioneve vendore dhe qendrore po e trajtojnë këtë çështje pa përgjegjësi.

Organizatat joqeveritare vërejnë se një pjesë e madhe e njësive vendore i kanë shpallur listat në mjedise publike për të verifikuar mungesat dhe dublimet e emrave, dhe për të saktësuar qendrat e votimit, por ka ende shumë njësi të qeverisjes vendore ku listat nuk janë publikuar në Elbasan, Gjirokastër, Kavajë dhe pjesërisht në disa zona si Tiranë, Vlorë dhe Shkodër.

Vonesat në verifikimin dhe publikimin e listave kanë vonuar pushtetin edhe në përcaktimin e qendrave të votimit dhe dorëzimin e tyre në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo veçanërisht në Durrës, Librazhd, Fier dhe Devoll. Koalicioni thekson se kanë mbetur vetëm 3 javë që pushteti vendor të njoftojë me shkrim sipas ligjit të gjithë banorët për numrat e tyre në listat paraprake, brenda datës 3 mars.

Njoftimi i qytetarëve nuk ka filluar, pasi Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, pohojnë vëzhguesit, ende nuk ka dërguar njësive vendore modelin e përcaktuar për njoftimin e qytetarëve. Koalicioni i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ndjekë nga afër përgatitjen e e listave, dhe të nxitë qeverisjen vendore të përfundojë sa më parë punën me listat dhe qendrat e votimit.

Sipas të dhënave më të fundit nga ministria e brendshme, lista e zgjedhësve përmban 3,288,797 zgjedhës, të cilat janë publikuar qartë pranë 5 441 qendrave te votimit nga pushteti vendor. Rreth 54 mijë qytetarë nuk janë përfshirë ende në lista, ndërkohë që po rregullohen qendrat e votimit, me ndarje dhe bashkime të ndryshme. Vetëm 2 200 emra dyshohet se janë të dubluara. Shqipëria ka ende pa rregulluar numrin e qendrave të votimit; 24 qendra votimi kanë më shumë kufiri ligjor prej një mijë votues, ndërsa 124 qendra votimi kanë më pak se kufiri ligjor prej 200 votues.

XS
SM
MD
LG