Lidhje

Las Vegasi, betejë me indianët e Amerikës për ujë


Jugperëndimi i Shteteve të Bashkuara do të përballet me një krizë uji në vitet e ardhshme. Lumi Kolorado është ai që i jep jetë rajonit, por katërmbëdhjetë vjet thatësirë po e shtyjnë lumin më pranë limiteve të tij. Qytetet e zonës po kërkojnë burime të tjera ujore që të mund t’i përdorin kur lumi të mos jetë më në gjendje t’u përgjigjet nevojave të tyre. Por në vendet ku ata kanë gjetur mundësi, kanë gjetur gjithashtu njerëz që kërkojnë të mos preken burimet e tyre ujore.

Rrethuar nga një nga zonat më të thata në Shtetet e Bashkuara, vendbanimet e indianëve të Amerikës “Goshute” shtrihen në kufirin midis shteteve Nevada dhe Utah, 400 kilometra në veri të Las Vegasit. Emri "Goshute" do të thotë "njerëz të shkretëtirës".

Por, ish-kryetari fisnor Ed Naranjo thotë se këtu ka dhe ujë, që rrjedh nga burimet nëntokësore - dhe që ka tërhequr vëmendjen e qytetit në jug.

"Këto burime janë në sipërfaqe, por janë ndoshta të parat që do të ndikohen. Do të thahen."

Las Vegasi është një oaz në shkretëtirë që përbën tre të katërtat e ekonomisë së shtetit të Nevadës. Qyteti me dy milionë banorë dhe me 40 milionë vizitorë çdo vit ka pasur rritjen më të shpejtë në vend.

Por ka një dobësi të rëndësishme, thotë zëdhënësi i Autoritetit të Ujit për Nevadën Jugore, Bronson Mack.

"Nevada jugore varet vetëm tek lumi Kolorado. Ai është burimi i saj kryesor i ujit me 90 për qind të nevojave të përmbushura nga liqeni Mead."

Dhe liqeni Mead po ulet ndjeshëm. Ai arriti një nivel rekord cektësie këtë vit. Zoti Mack thotë se Las Vegasi e di që ka nevojë të shtojë burimet e veta ujore.

"Për shkak se – siç e kemi parë gjatë kësaj thatësire – të varemi vetëm prej këtij burimi na bën potencialisht një komunitet të pambrojtur."

Por plani i qytetit për të ndërtuar një tubacion për të pompuar ujë nga këto lugina ka shkaktuar kundërshtim të ashpër nga fermerët dhe qytetet e vogla që shqetësohen se burimet e tyre të jetesës do të thahen.

Ed Naranjo shqetësohet se ky do të ishte fundi për popullin Goshute.

"Jetojmë këtu në shkretëtirë prej vitesh. Dhe e kemi përshtatur mënyrën e jetesës për ta përballuar këtë lloj shkretëtire. Por mund të shtyhesh deri në një farë pike, pasi vjen një moment kur nuk mund të jetosh më në disa kushte."

Ai thotë se projekti kërcënon vende të një rëndësie të thellë shpirtërore.

Kjo është tokë e shenjtë për Goshutët. Është vendi i një masakre të vitit 1863, kur trupat amerikane vranë burra, gra dhe fëmijë goshutë. Dhe sipas legjendës së tyre, aty ku u vra secili nga njerëzit goshutë, u rrit një bredh.

Tani ata shqetësohen se në qoftë se Las Vegasi fillon të marrë ujë nga nëntoka këtu, kjo Korije e Shenjtë do të thahet.

"Ne nuk do ta konsideronim këtë projekt, nëse do të mendonim se nuk mund të bëhet në mënyrë që të përfitojë Nevada jugore pa ndikuar negativisht në ato zona."

Zoti Mack thotë se tranferimi i ujit do të monitorohet nga afër për efektet e tij në lugina. Dhe se ligji mjedisor u kërkon të ndalojnë nëse po shkaktojnë dëme.

Por banorët e Luginës nuk u besojnë autoriteteve të Las Vegasit.

"Ata nuk do të ndalojnë sepse do të kenë investuar miliona apo miliarda dollarë. Nuk kanë për ta fikur sistemin. Është diçka që nuk mund të ndodhë."

Luginat e kanë fituar betejën e fundit gjyqësore. Por apelimet vazhdojnë. Mund të duhen vite përpara se çështja të zgjidhet. Ndërkohë, thatësira vazhdon, duke shtuar rrezikun për Las Vegasin.

XS
SM
MD
LG