Lidhje

Problemet e sigurisë për Lojrat Olimpike të Londrës

  • Henry Ridgwell

Dy shkelje të hapura të sigurisë në Londër gjatë ditëve të fundit kanë turpëruar autoritetet e kryeqytetit britanik dhe e kanë përqëndruar vemendjen tek masat e sigurisë për Lojrat Olimpike Verore të këtij viti. Qeveria britanike po merr masa paraprake në përpjekje për të parandaluar çdo sulm terrorist. Por siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, ekzistojnë shqetësime se problemet më të mëdha mund të shkaktohen nga një lloj tjetër kërcënimi.

Nga kati i 72-të Londrën e shikon si në pëllëmbë të dorës. Një pamje e mrekullueshme, por edhe e tmerrshme nga kulmi i ndërtesës Shard, më e larta në Evropë.

Grupi që regjistroi këtë video e quan veten Eksploruesit Urbanë. Ata thonë se nuk kanë për qëllim të shkelin ndonjë ligj, por ky rregjistrim ka ekspozuar një shkelje të turpshme të sigurisë vetëm pak muaj para fillimit të Lojrave Olimpike të Londrës.

David Rubens administron një firmë sigurie, që specializohet në Lojrat Olimpike.

“Ky aspekt duhet të jenë në qendër të vemendjes së menaxherëve të sigurisë. Olimpiadat përbëjnë një problem të madh për sigurinë, gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, por sigurimi i ndërtesave është diçka që menaxherët e sigurisë duhet të jenë në gjendje ta garantojnë gjithnjë”.

Disa grupe të tjera pretendojnë se gjatë muajve të fundit janë ngjitur ilegalisht në majë të godinës Shard në Londër. Dhe kjo ndodh vetëm një javë pas ndërprerjes së një aktiviteti sportiv po në Londër.

Për herë të parë që prej luftërave botërore, një protestues detyroi ndalimin e një gare përgjatë lumit Thames mes universiteteve Oxford dhe Cambridge.

Trenton Oldfield doli papritmas para anijes së Universitetit Oxford, duke bërë që gara të fillonte nga e para. Oldfield tha se e bëri këtë në shenjë proteste kundër asaj që ai e quan ‘shoqëri elitë’.

Fituesi i medales së artë, Sir Matthew Pinsent ishte njëri prej arbitërve të garës.

"Mendoj se për çdo zyrtar të garës siguria është përparësia kryesore si për pjesëmarrësit në garë edhe për publikun në përgjithësi. Dhe sapo u duk qartë se një person po notonte në ujërat e lumit, ne nuk kishim rrugëdalje tjetër veçse të ndalnim garën”.

Ky veprim detyroi kreun e Shoqatës Britanike të Olimpiadave që të paralajmëronte, siç u shpreh ai, se ‘vetëm një idiot’ mund të prishë Lojrat Olimpike Verore.

“Së pari duhet thënë se është shumë e vështirë të garantohet siguria 100 për qind siç ndodhi në garën me barka. Së dyti, ne kemi një histori të atyre që quhen protesta me valvitjen e pankartave në Britani, ku grupe jo shumë të njohura dhe që përdorin forma me kosto të ulët dhe jo me teknologji të lartë, si për shembull Fronti për Çlirimin e Kafshëve, njerëz që mbështesin trajtimin etik të kafshëve, grupi Greenpeace, dhe veçanërisht organizata ‘Baballarët e Drejtësisë’ tërheqin vemendjen e madhe të komunitetit ndërkombëtar nëpërmjet operacioneve me kosto të ulët dhe teknologji jo të sofistikuar”.

Masat e sigurisë në Londër janë përqëndruar tek sulmet e mundshme terroriste madhore. Vetëm kostoja e masave të sigurisë është dyfishuar që prej përllogaritjeve fillestare prej 882 milion dollarësh.

Por ndërsa autoritetet bëjnë përgatitjet e fundit për operacionin më të madh të sigurisë në Britani në kohë paqeje, ekziston shqetësimi në rritje se vetëm një individ i vendosur mund të shkaktojë probleme të mëdha gjatë këtij aktiviteti sportiv.

XS
SM
MD
LG