Lidhje

Problemi i të drejtave të pronës dhe zgjidhja e tij

  • Jerilyn Watson

Problemi i të drejtave të pronës dhe zgjidhja e tij

Problemi i të drejtave të pronës dhe zgjidhja e tij

Më pak se një e treta e njerëzve në vendet në zhvillim janë pronarë tokash ose pronar të siperfaqes tokësore në të cilën jetojnë. Grupet si organizata e OKB-së për Vendbanimet dhe partnerët e saj po punojnë në mënyra të thjeshta për të siguruar të drejtat e pronës për miliona njerëz. Materiali në vazhdim sjell hollësi mbi të drejtën e pronës.

Ekspertët e zhvillimit thonë se vënia në vend e të drejtës së pronës është e rëndësishme për pakësimin e varfërisë, rritjen ekonomike dhe prodhimin e artikujve ushqimorë. Njerëzit e varfër pastaj mund të shfrytëzojnë pronat për të siguruar marrjen e kredive nga banka. Të dhënat mbi pronat gjithashtu janë tregues për investitorët e huaj se të drejtat e atyre që janë pronarë tokash janë të mbrojtura me ligj. Kohët e fundit, kërkesat e të huajve për tokë bujqësore në Afrikë, Azi dhe Amerikën Jugore janë rritur. Zyrtarja e OKB-së mbi këtë çështje Clarissa Augustinus në Najrobi të Kenias shpjegon se pse regjistrimi i pronave është i rëndësishëm.

“Kur një invesitor kërkon një pronë për të investuar, qeveria i tregon një hartë me prona, dhe i thotë invesitorit shko merre këtë pronë. Por kur invesitori shkon për të shikuar pronën, ai e sheh se prona është e pushtuar nga një familje apo një fis.”

Largimi me forcë i njerëzve nga prona mund të dëmtojë imazhin e invesitorit.

“Kjo mund të shkaktojë atë që invesitorët evropianë e quajnë rrezikim i reputacionit.”

Nxjerrja e dokumenteve pronësore, thotë ajo, është proces me kosto të lartë. Prandaj shumë pronarë nuk kanë dokumente pronësore për pronat e tyre.

“Kostoja e nxjerrjes së dokumenteve zyrtare të pronësisë është disa qindra dollarë. Në këtë moment, shumë vende nuk kanë mundësi t’u japin shumicës së qytetarëve të tyre të drejtat pronësore sepse kostoja e krijimit të këtyre dokumenteve është e lartë dhe shumica e individëve nuk e përballon koston e subvencionimit.”

OKB-ja thotë se përgjigja ndaj këtij problemi në disa vende është krijimi i një procesi me disa hapa për marrjen e dokumentave të pronësisë. Së pari, njerëzit mund të marrin një dokument të thjeshtë për pronën në të cilën jetojnë. Pas marrjes së këtij dokumenti ata do të jenë të sigurtë nga kërcënimet për largim me forcë nga ana e shtetit ose blerësve të pasur. Hapat e ardhshëm do të ofronin të drejta më të mëdha. Në fund, shumica e komunitetit mund të marrë vendim për të lejuar pronësi individuale të tokës.

Namibia, Uganda, Tanzania dhe Zambia janë disa nga vendet që po përdorin këtë proces për zgjidhjen e problemit të regjistrimit të pronave. Zonja Augustinus thotë se Etiopia tashmë ka lëshuar 20 milionë çertifikata të shkallës së ulët për pronarët e tokave me një çmim prej 1 dollarësh.

Në Azinë juglindore, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar po punon në një projekt për të ndihmuar Timorin Lindor të zgjidhë problemin e të drejtës ndaj pronës. Hapi i parë është lëshimi i një çertifikate e cila e njeh të drejtën e pronarit të tokës. Timori Lindor fitoi pavarësinë nga Indonezia 9 vite më parë. Ushtria indoneziane kishte shkatërruar të gjitha të dhënat mbi pronat dhe ka larguar me forcë komunitetet nga tokat e tyre në përpjekje për të shkatërruar rezistencën kundër Indonezisë.

XS
SM
MD
LG