Lidhje

Procesi i zgjedhjes së presidentit

  • Jim Malone

Procesi i zgjedhjes së presidentit

Procesi i zgjedhjes së presidentit

Amerikanët fillojnë procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm më 3 janar të vitit të ardhshëm në Ajova, ku republikanët do të mblidhen në grupe të vogla për të votuar për një nga 7 konkurruesit për marrjen e emërimit të partisë republikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell hollësi.

Kandidatët republikan për president kanë intensifikuar fushatën.

Për momentin ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç është në krye të anketave dhe gëzon përkrahje të madhe në Ajova.

“Ju dhe fqinjët tuaj keni shansin të hyni në histori sepse thuajse të gjithë korrespondentët politikë të Amerikës do të jenë këtu për të ndjekur votimet”.

Sipas anketave, gara kryesore e republikanëve do të zhvillohet mes zotit Gingriç dhe ish guvernatorit të shtetit Masaçusets Mit Romni, i cili vazhdon ta përqëndrojë vëmendjen tek presidenti Barak Obama.

“Presidenti Obama është njeri i mirë. Por, unë nuk mendoj se ai e kupton Amerikën dhe ekonominë e vendit tonë. Nuk mendoj se ai e kupton fuqinë e njerëzve të lirë dhe lirinë e tyre për të zgjedhur kursin e jetës së tyre”.

Njut Gingrich, Mit Romni dhe kandidatët e tjerë po përpiqen të fitojnë mbështetjen e pasuesve të biznesmenit dhe ish kandidatit Herman Kein.

Analisti politik Stuart Rothenberg thotë se gara republikane ka qënë plot të papritura.

“Kjo ka qënë një nga garat republikane më kaotike dhe më të paparashikueshme që kam parë deri tani. Askush nuk kishte parashikuar që gara republikane të merrte këtë drejtim”.

Zoti Rothenberg thotë se ish guvernatori Romni e ka pasur të vështirë të fitojë mbështetjen e konservatorëve.

“Gara në këtë drejtim është shumë e qartë. Çereku i partisë republikane është me Romnin ndërsa treçereku tjetër i republikanëve nuk e duan atë”.

Nga ana tjetër presidenti Obama po përpiqët të mobilizojë demokratët.

“Do të vazhdojmë përpjekjet tona, luftën tonë dhe ende shpresojmë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të bërë ndryshimet në të cilat besojmë”.

Por, analisti Rothenberg thotë se rruga e presidentit drejt rizgjedhjes për një mandat të dytë mund të mos jetë e lehtë.

“Presidentëve u njihet merita kur vendi kalon kohë të mira dhe fajësohen kur vendi përballet me kohë të vështira.Votuesit ende kanë prirje për ndryshime, siç ndodhi në zgjedhjet e viteve 2006, 2008 dhe 2010, ndërkohë që presidenti përfaqëson pushtetin në fuqi”.

Zgjedhjet paraprake mes kandidatëve republikanë do të fillojnë më 3 janar në shtetin e Ajovës dhe një javë më vonë votimet do të zhvillohen në shtetin tjetër Nju Hampshir.

XS
SM
MD
LG