Lidhje

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kinë


Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kinë
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kinë

Procesi më i madh i regjistrimit të popullsisë në Kinë tregon se popullata prej 1.3 miliardë vetësh në këtë vend karakterizohet nga dy prirje intensive të plakjes dhe urbanizimit të shpejtë.

Ma Jiantang, Kreu i Zyrës Kombëtare Kineze të Statistikave tha në komentet për shtyp në Pekin se numri i personave nën moshën 14 vjeç në Kinë ka rënë më shumë se 6 për qind që nga viti 2010, krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2000. Po ashtu, numri i personave mbi 60 vjeç është rritur me afro 3 për qind.

Zoti Ma thotë se ndryshimet pasqyrojnë përmirësimin e standardit të jetesës dhe të kujdesit shëndetësor, që kanë shoqëruar rritjen e shpejtë ekonomike të Kinës.

Zyrtari kinez thotë se sipas regjistrimit popullata totale e Kinës përllogaritet në afro 1.34 miliardë vetë. Ai thotë se ritmet e rritjes së popullsisë janë zvogëluar afërsisht në masën 50 për qind që nga viti 2000, dhe tani luhaten tek nën 1 për qind.

Zoti Ma thotë se shifrat tregojnë zbatimin e mirë dhe konsistent të politikës kombëtare kineze të planifikimit familjar. Ai shton se kjo politikë ka dhënë rezultat në vënien nën kontroll të një popullate që do të kishte vazhduar të rritej me ritme të papërballueshme.

Që nga viti 1980, qeveria kineze ka zbatuar me rreptësi politikën e planifikimit familjar që ndëshkon familjet në zona urbane nëse bëjnë më shumë se një fëmijë. Zoti Ma thotë se kjo politikë i ka dhënë Kinës atë që ai e cilëson si “modeli i trefishtë i ritmeve të ulëta” të shtimit të popullsisë – një kombinim i ritmeve të ulëta të lindjeve me ritmet e ulëta të vdekjeve dhe rritje të ulët neto të popullsisë. Ky rezultat, tha zyrtari kinez, dallon nga vende të tjera në zhvillim, që kanë ritme më të larta lindjeje. Ai vuri në dukje se në shumë vende të zhvilluara u deshën deri në 100 vjet për të arritur rezultanten e trefishtë, kurse Kina e arriti këtë brenda pak dekadash.

Rezultatet e regjistrimit të populates tregojnë se afro gjysma e popullsisë në Kinë jeton në zona urbane, krahasuar me vetëm 36 për qind në vitin 2000. Kjo përqindje përfaqëson mbi 180 milionë vetë që janë zhvendosur nga zonat rurale për në qytete gjatë 10 vjetëve të fundit. Shumica e tyre u zhvendosën me shpresën për të gjetur punë në sektorin e prodhimit industrial, në një vend që ka hyrë me furi në rrugën e transformimit nga një shoqëri kryesisht agrare në një fuqi industriale.

XS
SM
MD
LG