Lidhje

Produktet Apple, përse njerëzit i pëlqejnë ato?

  • Elisabeth Lee

Produktet Apple, përse njerëzit i pëlqejnë ato?

Produktet Apple, përse njerëzit i pëlqejnë ato?

Nga komunikimi e deri te argëtimi, produktet Apple kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si njerëzit në botë marrin informacionin dhe përdorin teknologjinë. Njeriu që e drejtoi firmën Apple në evolucionin e saj ishte Steve Jobs. Por përse Apple ka qenë aq e suksesshme me produktet e saj dhe çfarë mund të presin konsumatorët tani që Jobs nuk jeton më? Le të ndjekim materialin në vazhdim.

Jill Lenahan është një studente e cila adhuron çdo gjë të krijuar nga Apple.

"Përdor një iPhone 4 dhe një iPod Touch, ndërsa në çantën e shpinës kam një MacBook."

Lenahan thotë se përvoja e saj me llojet e tjera të kompjuterëve nuk ka qenë kurrë e tillë si me Apple.

"Më parë përdorja një Windows. Më bllokohej vazhdimisht dhe ishte tepër i ngadalshëm. Tani që përdor Mac, çdo gjë është bërë shumë më e lehtë."

Lenahan thotë se iPhone-i ia ka bërë edhe jetën më të efektshme. Por Apple nuk ka krijuar vetëm telefonin inteligjent apo kompjuterin tablet. Andrew Lih në Universitetin e Kalifornisë Jugore thotë se Apple i ka bërë pajisjet e teknologjisë së lartë më të lehta në jetën e përditëshme të atyre që nuk dinë shumë nga teknologjia.

"Unë mendoj se Apple ka qenë e para që ka lejuar përdorimin e këtyre teknologjive, si MP3, shkarkimin e filmave apo kompjuterave tablet nga një shumicë e madhe njerëzish."

Është aftësia e firmës Apple për t’i bërë produktet e saj tërheqëse ajo që i shtyn konsumatorët kudo në botë të zgjedhin këto produkte dhe ato të firmave të tjera.

"Dhe kjo është bukuria e produkteve Apple. Arsyeja pse konsumatorët i duan ato është se ato kanë një bukuri transparente. Njeriu nuk ka nevojë të mësojë se si përdoren ato produkte. Mjafton t’i marrësh në dorë dhe çdo gjë duket e natyrshme. Por përfytyroni se sa orë pune janë dashur të arrihet deri aty. Shumica e kompanive nuk e kanë një filozofi dhe etikë të tillë pune."

Lih thotë se produktet e kompanisë Apple janë mjaft të lehta për t’u përdorur në jetën e përditshme. Ai thotë se tradita e kësaj kompanie për të krijuar produkte që përdoren lehtë nga konsumatorët filloi që me themelimin e saj në vitet 70.

"Në vitet 70, kur u shfaq Apple, arritja e tyre më e madhe ishte se e futën kompjuterin personal në shtëpinë e njerëzve me një çmim mjaft të arsyeshëm."

Sot, produktet Apple vërtet janë më të shtrenjtë se shumë nga konkurrentët e saj, por kompania ka aftësinë të bindë njerëzit që të blejnë, thotë analistja Elizabeth Fife.

"Apple është e veçantë në aftësinë për të krijuar emocione me produktet e saj, jo vetëm me iPhonë-t, por edhe me laptopët, iPadet dhe produktet e tjera që kanë hedhur në treg. Pra, është diçka ku ata shquhen."

Edhe tani që Steve Jobs nuk jeton më, shumë analistë presin që për 3-5 vitet e ardhshme Apple ta vazhdojë traditën e krijimit të produkteve të pëlqyeshme nga konsumatorët.

XS
SM
MD
LG