Lidhje

Profil i presidentit të ri të Bankës Botërore

  • Jim Randle

Drejtuesi i ardhshëm i Bankës Botërore do të jetë Dr. Jim Yong Kim, ekspert për Shëndetësinë nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Bankës Botërore ka qenë gjithmonë amerikan, por këtë radhë pati konkurencë mes një numër kandidatësh nga vende të ndryshme për këtë post të lartë. Dr. Kim do të sjellë në detyrën e re një mendësi të ndryshme nga pararendësit e tij, të cilët ishin ekspertë në politikën e jashtme, biznes apo ekonomi:

Dr. Jim Yong Kim ka treguar në jetë një numër aftësish. Para se të emërohej si drejtues i Bankës Botërore, ai ishte president i Kolegjit Dartmouth:

Gjatë asaj kohe ai luajti në një komedi muzikore të trupës studentore.

Por ai ka luajtur një numër rolesh serioze, si në rastin kur drejtonte përpjekjet e Kombeve të Bashkuara kundër Sidës, kur themeloi një organizatë joqeveritare në shërbim të shëndetit në botë apo kur jepte leksione në Universitetin Harvard në Departamentin e Mjekësisë dhe Shëndetit Publik.

Në videot që ka vënë në faqen YouTube Universiteti Dartmouth, Dr. Kim u thotë studentëve se pajisja me njohuri të gjera në shkollë do t’i ndihmojë të zgjidhin probleme të vështira. Ai është diplomuar në mjekësi dhe antropologji.

“Në të gjitha problemet që kam marrë përsipër t’i zgjidh, nuk jam udhëhequr thjesht nga një këndvështrim filozofik apo politik, por duke qenë njëkohësisht edhe mjek i orientuar nga një këndvështrim praktik, që zgjidhja t’u japë mundësi njerëzve të jetojnë”.

Duke folur për filozofinë që sjell ai në Bankën Botërore, zoti Kim analizon sistemin shëndetësor amerikan duke u bërë thirrje zyrtarëve të përqendrohen në të dhëna dhe rezultate dhe të gjejnë zgjidhje origjinale:

“Gjërat kanë shkuar aq keq sa që mendojmë se më së fundi do të ketë presion të mjaftueshëm për të vepruar. Për fat të keq kemi 20 vjet që e themi një gjë të tillë”.

Kritikët thonë se Banka Botërore merret me çështje shumë më të gjera se sa shëndetësia dhe e kanë vënë në pikëpyetje përvojën e zotit Kim për të nxitur ekonominë globale në mënyrë që të përballojë koston e përmirësimit të arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës.

Një ekonomist thotë se Presidenti i Bankës Botërore duhet të ndryshojë kulturën feudale të institucionit dhe të përqendrohet në çështjet qendrore ekonomike.

Por Anders Aslund i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se përvoja e zotit Kim si president i një universiteti mund t’i vlejë në këtë rast:

“Në këto institucione ka njerëz që nuk pushohen dot nga puna, struktura që nuk mund të eliminohen”.

Zyrtarët nuk zgjodhën kandidaten tjetër, ministren e financave të Nigerisë. Zonja Ngozi Okonjo-Iweala, që gëzon respekt të gjerë, thotë se përvoja e saj në bankë dhe në jetë do ta kishte bërë një udhëheqëse të fortë të institucionit më të madh të zhvillimit në botë:

“Nuk mjafton të thuash se je i informuar për varfërinë. Duhet ta përjetosh që ta dish, ashtu siç e kam përjetuar unë”.

Një tjetër kandidat për postin e Presidentit të Bankës Botërore ishte një ekspert për zhvillimin dhe ish-ministri kolumbian i financave, Jose Antonio Ocampo.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG