Lidhje

Program i ri për studimin e të Drejtave të Njeriut

  • Bill Zibli

Program i ri për studimin e të Drejtave të Njeriut

Program i ri për studimin e të Drejtave të Njeriut

Universiteti Jugor Metodist në Dallas të Teksasit, ka shtuar një numër të ri kursesh për studimin e të Drejtave të Njeriut këtë semestër, si “Shëndeti si një e drejtë njerëzore”, dhe “Të Drejtat e Njeriut dhe Gazetari”. Siç shpjegon gazetari Bill Zeeble kjo ndodh për arsye se Universiteti Jugor Metodist për dallim nga shkollat e tjera që ofrojnë studim të pjesshëm në këtë fushë, tani është duke ofruar një degë të veçantë për studimin e të Drejtave të Njeriut. Dhe ky është një prej vetëm pesë universiteteve në vend që ofron këtë degë studimi.

Për vite të tëra, profesori i Universitetit Jugor Metodist Rick Halperin ka bërë përpjekje për hapjen e një programi për studimin e të Drejtave të Njeriut. Ish-kryetari i Amnesty International në SHBA ka bërë kursin e parë mbi të drejtat e njeriut në këtë shkollë 21 vjet më parë, pra para se shumë nga studentët e tij të tanishëm kishin lindur. Pesë vjet më parë, ky universitet hapi një program për studim të pjesshëm në fushën e të Drejtave të Njeriut. Profesor Halperin thotë se, në atë kohë, vetëm 11 universitete të tjera ofronin një program të tillë.

“Ne thjesht nuk flasim për të drejtat e njeriut në përgjithësi në këtë vend. Ne nuk flasim për këto gjëra në shkolla. Pjesërisht ia hedh fajin shoqërisë. Ky është një dështim i qartë në këtë vend”.

Profesori Halperin filloi përpjekjet për ta ndryshuar këtë. Studentët filluan të regjistroheshin në kursin e tij, “Dilema e Amerikës: Lufta për të Drejtat e Njeriut”.

“Ne jemi bërë programi me rritjen më të shpejtë në Universitet”.

Halperin thotë se suksesi nxiti miratimin e programit për të Drejtat e Njeriut. Universitetit Jugor Metodist iu bashkua Kolegjit Bard, Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, Kolegjit Trinity në Connecticut, dhe Universitetit të Dejtonit në Ohajo, si shkollat e vetme në vend që ofrojnë këtë program.

Fusha e re e studimit do t’i përgatisë studentët për angazhim në fushën e të drejtave të njeriut, organizatat jo-fitimprurëse, dhe u jep atyre një perspektivë më të gjerë ndërkombëtare. Përveç kësaj, studentët do të studiojnë një gjuhë të huaj për të paktën dy vjet dhe do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme mbi të drejtat e njeriut që do të organizohen në universitet. Klasa e profesorit Halperin për të drejtat e njeriut është gjithashtu kurs i detyrueshëm.

“In Pakistan, Taliban forces...”

Tridhjetë nxënës mbushin klasën për kursin javor të profesorit Halperin të martën në mbrëmje. Klasa fillon me prezantime nga ana e studentëve të cilët citojnë shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur kohët e fundit.

“...And a Taliban spokesman...”

Pastaj, profesori Halperin përqëndrohet në trashëgiminë e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Për të inkurajuar pjesëmarrjen, ai ka sjellë një film të viteve1960, Guess Who’s Coming to Dinner. Në të, një grua e re e bardhë prezanton para prindërve të saj një afrikano-amerikan me të cilin ajo dëshiron të martohet. Pesëdhjetë e dy vjet më parë, filmi zgjoi shumë polemika. Për shumë njerëz ky film ende ka një subjekt delikat. Për të shqyrtuar ndryshimet kulturore dhe racore nëpër breza, profesor Halperin pyet secilin nxënës se si prindërit dhe gjyshërit sot mund të reagojnë ndaj këtij skenari.

“Prindërit e mi kanë lindur në vitet 1950 në jug, por më pas u bënë hipi, kështu që unë nuk mendoj se shqetësohen nga kjo”.

“Prindërit e mi janë nga Meksika dhe kanë lindur në vitet 1950, dhe unë nuk mendoj se ata do të ishin dakord me këtë”.

Për disa studentë, ky kurs plotëson një nga kushtet për degën e historisë. Por për të tjerët, si studenten e vitit të dytë Emily Mankowski, programi i ri për studimin e të Drejtave të Njeriut është një mundësi interesante. Ajo thotë se erdhi në Univerisitetin Jugor Metodist, pjesërisht për shkak të programit për të Drejtat e Njeriut.

John Potts, student i vitit të tretë në Inxhinieri Mekanike, është i impresionuar nga programi i ri i të Drejtave të Njeriut. Ai thotë se universiteti është parë si konservator dhe një shkollë jo shumë e hapur ndaj ndryshimeve. John Potts e quan programin e të Drejtave të Njeriut një hap përparimtar për universitetin dhe studentët e tij.

“Mendoj se kursi është shumë interesant. Është më shumë sesa prisja e orientuar për diskutime. Por mendoj se është mirë për ne për të ngritur çështje që janë delikate, duke diskutuar mendimet e prindërve tanë për racën dhe partnerët tanë”.

Tani, falë angazhimit të profesorit Rick Halperin, studentët e Universitetit Jugor Metodist jo vetëm mund të ngrejnë dhe diksutojnë çështjet e vështira në lidhje me të drejtat e njeriut, por edhe mund t’i studiojnë ato. Tetëmbëdhjetë nga 200 studentët që studionin në programin e pjesshëm për të Drejtat e Njeriut tashmë kanë kaluar në programin e plotë 4 vjeçar për të Drejtat e Njeriut. Profesori Halperin ka dëgjuar nga të tjerët në të gjithë vendin të cilët thonë se do të regjistrohen në këtë universitet vetëm për të studiuar këtë fushë. Halperin thotë se qëllimi i tij i ardhshëm është që të krijojë një program masteri për studimin e të Drejtave të Njeriut.

XS
SM
MD
LG