Lidhje

Nju Jork, program për stilistët e rinj


Daniel Vosovic, stilist
Daniel Vosovic, stilist
Shumë njerëz i konsiderojnë stilistët e rinj si zemra e industrisë së modës. Qyteti i Nju Jorkut shpreson ta ruajë pozitën e tij si kryeqyteti i modës në botë, duke inkurajuar stilistët e rinj nëpërmjet një programi për ta.

Në një kat të një ndërtese që nuk bie në sy në Nju Jork, punojnë 10 stilistë nga mbarë Shtetet e Bashkuara. Këta krijues, të përzgjedhur mes 100 kandidatëve, shpresojnë që veshjet e tyre të bëhen të famshme.

Për dy vjet me rradhë, Korporata për Zhvillimin Ekonomik të Qytetit të Nju Jorkut, u ka dhënë atyre mbështetje të konsiderueshme, si për shembull, qira me çmime shumë të ulëta.

Daniel Vosovic është një nga stilistët:

“Ndihma mund të jetë ligjore, mund të jetë për të hapur një dyqan virtual, ose nëse kam probleme me prodhimin, më vënë në kontakt me njerëz më me përvojë nga industria për këshillim. Por asnjë nuk zotëron pjesë të kompanisë tonë. Është thjeshtë mbështetje.”

Zoti Vosovic, i cili ishte finalist në sezonin e dytë të emisionit televiziv Project Runway, ka admirues dhe popullariteti i tij është rritur. Gjatë vitit të shkuar, ndër klientët e tij ishin Mila Kunis, Emma Stone dhe Elizabeth McGovern. Por për të ecur më tej, nevojitet më shumë se thjesht frymëzim. Ai e di se ka nevojë për këshilla dhe ndihmë nga njerëz të tillë si Malcolm Carfrae me firmën Calvin Klein dhe April Uchitel e cila ka punuar për Diane von Furstenberg.

“Firma ime është e vogël dhe mundësitë i kam të kufizuara. Është me të vërtetë e rëndësishme për qytetin të na kuptojë. Ne kemi nevojë për ndihmën e tyre para se të mund të zhvillohemi për t’u bërë si Ralph Lauren ose Donna Karan,” thotë stilisti Vosovic.

Zoti Eric Johnson drejton programin e inkubatorit të modës për qytetin e Nju Jorkut:

“Mendoj se çdo sipërmarrës do t’ju thotë se është e rëndësishme të jenë rreth njerëzve të cilët kanë gëzuar sukses me bizneset e tyre. Dhe duhet të marim parasysh se këto janë biznese të përbëra nga vetëm disa persona, kështu që të kenë mundësinë të mësojnë nga njerëz që kanë arritur sukses është diçka shumë e vlefshme.”

Vosovic prodhon gjithçka në Nju Jork. Kjo i jep atij kontroll më të madh dhe e lejon atë të mbikqyrë personalisht çdo hap të proçesit. Ai beson gjithashtu në një qasje afatgjatë për planifikimin e biznesit.

“Një koleksion nuk është i mjaftueshëm për të bërë një karrierë të tërë. Nëse vesjet nuk janë të mira, dështimi është i sigurtë. Nëse i nis me vonesë, do të prishësh marrëdhënie me klientët. Për mua, sukses do të thotë jetëgjatësi. Është besnikëri dhe kënaqësi personale,” thotë ai.

Vosovic ka një bazë klientësh në rritje nga interneti në mbarë botën dhe në dyqane në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Firma e tij është në rritje dhe një ndihmesë të madhe, thotë ai, i ka dhënë programi inkubator i modës.
XS
SM
MD
LG