Lidhje

Projekte për të mbrojtur amfibët nga zhdukja


Bretkocat, thithlopat, salamandrat e hardhucat nuk shihen më aq shpesh sa dikur. Studiuesit thonë se numri i amfibëve në botë po bie me shpejtësi dhe mendohet se deri tani janë zhdukur 165 specie. Por ky realitet ka mobilizuar një numër shkencëtarësh në pika të ndryshme të globit për t’i mbrojtur këto specie:

Bretkocat dhe amfibët e tjerë jetojnë në një botë plot rreziqe, që nga ndryshimet e paparashikueshme të stinëve, tek ndotja e pakësimi i mjediseve të gjallimit. Më shumë se një e treta e afro 6000 specieve të njohura të amfibëve kërcënohen nga problemet mjedisore dhe një kërpudhë që mund të shfarosë gjithë popullatën. Por specialistët e fushës në Madagaskar kanë filluar një program të ri mbarështimi, në kuadër të një numri masash në përgjigje të këtij problemi:

“Këto specie po zhduken me ritme alarmuese. Shumë prej tyre mendohet se janë zhdukur plotësisht. Problemi që shfaqet me amfibët është se ritmet e pakësimit të popullatës janë shumë të shpejta. Prandaj mbarështimi në kushte laboratorike është mënyra e duhur për të fituar kohë dhe për të parandaluar zhdukjen e menjëhershme”.

Robin Moore është ekspert për amfibët në organizatën Conservation International. Programi i mbarështimit të amfibëve në Madagaskar ka 30 bretkoca nga rajoni Andasibe. Specialistët kanë në plan ta rrisin numrin dhe të përfshijnë specie të tjera të rrezikuara:

“Mendoj se çelësi është kombinimi i programeve të tilla në laborator me programe në terren për të mbrojtur ekosistemet e amfibëve, me idenë që këto specie t’i rikthejmë në natyrë në një të ardhme”.

Në Shtetet e Bashkuara, John Kleopfer i Departamentit të Faunës dhe Peshkut në Virxhinia, merret me regjistrimin e popullatës së amfibëve në zonën e rezervatit natyror Mattaponi. Ai thotë se rënia e numrit të amfibëve u vërejt për herë të parë në vitet 1970. Por u deshën afro 20 vjet që të identifikohej një kërpudhë që kishte shkaktuar shfarosje në masë në popullatën e amfibëve:

“Kjo kërpudhë lëviz thuajse si një re vdekjeje përmes zonës, sidomos kur e ndoqëm lëvizjen e saj përmes Panamasë dhe Amerikës Qendrore. Një studiues arriti të krijojë grafikun e lëvizjes me saktësi të madhe dhe ndikimin tek popullata e bretkocave”.

Zoti Kleopfer thotë se njerëzit nuk duket se e kuptojnë rëndësinë e amfibëve dhe rolin e tyre në ekosistem:

“Ata ushqehen me insekte, por shërbejnë edhe si ushqim për kafshë të tjera. Ata mundësojnë ajrosjen e dheut kur lëvizin nga një mjedis në tjetrin. Ka një numër ndikimesh”.

Në mes të dimrit, nuk shihen gjëkundi salamandra apo bretkoca. Megjithatë, në Virxhinia John Kleopfer dallon një masë me vezë amfibi në një pellg të vogël pranë rrugës.

“Këto njollat e zeza këtu janë larvat që po zhvillohen”.

Aty pranë, larvat notojnë në një pellg me ujë të turbullt. Është një pamje shpresë-dhënëse për një studiues amfibesh. Për fat të keq, në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe në pika të ndryshme të globit, bota e amfibëve është në rrezik. Prandaj qendra të tilla mbarështimi si ajo në Madagaskar kanë shumë rëndësi dhe mund të ndihmojnë për parandalimin e zhdukjes së këtyre krijesave.

XS
SM
MD
LG