Lidhje

Programi hapësinor amerikan vazhdon me prodhues privatë


Programi hapësinor amerikan vazhdon me prodhues privatë
Programi hapësinor amerikan vazhdon me prodhues privatë

Sot anija e hapësirës Endevor pritet të kryejë udhëtimin e saj të fundit në Stacionin Ndërkombëtar Orbital. Ndërsa më 28 qershor, nëse çdo gjë shkon sipas parashikimit, Atlantis do të bëhet anija e fundit e hapësirës që niset nga Qendra Kennedy në Florida. Të dyja këto fluturime shënojnë fundin e misionit 30-vjeçar të NASA-s. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman, ky nuk është fundi i përpjekjeve amerikane në hapësirë.

50 vjet pas dërgimit në hapësirë të astronautit të parë amerikan Alan Shephard me një raketë të tipit Redstone, NASA po i jep fund misioneve të këtij lloji. Agjencia Amerikane e Hapësirës do të përdorë tani raketat e ndërtuara nga kompani private për dërgimin e ekipeve të reja në Stacionin Ndërkombëtar Orbital. Anijet e hapësirës të ndërtuara nga firma private pritet të jenë po aq të fuqishme dhe të besueshme sa ato të NASA-s dhe do t’i kushtojnë shumë më pak taksapaguesve amerikanë. Korporata për Eksplorimin e Teknologjive të Hapësirës, SPACE-X, ka nënshkruar një marrëveshje prej 1,6 miliardë dollarësh me NASA-n për 12 fluturime pa pilot në Stacionin e Hapësirës. Space X thotë se marrëveshja do të ulë koston në rreth 2 mijë dollarë për kilogram, pra më pak se një e dhjeta e asaj që i kushton NASA-s të për të çuar një ngarkesë në hapësirë me anijet e saj. Presidenti Barak Obama po i kërkon Kongresit të miratojë një ndihmë prej 850 milionë dollarësh për ndërtimin e raketave të tilla nga firma private. Administratori i NASA-s Charles Bolden thotë se buxheti i caktuar do të mbështesë partneritetin publik dhe privat në hapësirë.

“Ne duhet të kemi mjete të sigurta dhe me kosto jo të lartë për astronautët tanë. Kjo është arsyeja që ky buxhet i ri do të përdoret për partneritetin tonë me industrinë private të hapësirës”.

Roli i sektorit privat në operacionet e hapësirës pa pilot, si prodhimi i satelitëve, ose i anijeve robot, nuk është diçka e re, thotë ekezekutivi i NASA-s Alan Stern, tani në Institutin e Kërkimeve Southwest, që ofron mbështetje teknike për industrinë e hapësirës. Zoti Stern thotë se sektori privat premton misione në hapësirë me një kosto shumë më të vogël se ato që i kanë kushtuar NASA-s. Për shembull, Space X thotë se mund ta ulë koston e lëshimit në hapësirë të një aniejes, në shifrat 50-100 milionë dollarë, krahasuar me 1,5 miliardë që kushton secili nga misionet e hapësirës. Ai thotë se nga ky kursim përfiton si sektori privat edhe ai publik.

Vitin e kaluar Space X u bë kompania e parë komerciale e hapësirës që lëshoi me sukses anijen Falcon 9, me një kapsulë pa pilot, të quajtur the Dragon. Por sipas njoftimeve, Rusia ka thënë se nuk do të lejojë që Space-X të ankorohet në stacionin ndërkombëtar orbital, pa u bërë më parë provat për sigurinë e saj. Siguria përbën shqetësim edhe për ndërtuesit privatë të raketave. Dhe probleme ka patur. Korporata e Shkencave Orbitale, e cila ka kontratë me NASA-n, që kjo e fundit të dërgojë pajisje në stacionin e hapësirës, u përpoq pa sukses në muajin mars, të dërgonte satelitin që monitoron motin, raketën Taurus. Kjo ndërmarrje me vlerën prej 424 milionë dollarësh dështoi pasi struktura në formën e guaskës e projektuar për mbrojtjen e satelitit të lëshuar në drejt orbitës, nuk u hap.

Kohët e fundit, Space X bëri të njohura planet për lëshimin demonstrativ të raketës së saj të madhe, të quajtur Falcon Heavy, në fund të vitit 2012 nga Kepi Kanaveral në Florida. Drejtori i kompanisë, Elon Musk, thotë se Falkon Heavy do të jetë një nga raketat më të mëdha që është ndërtuar ndonjëherë.

“Një raketë e tillë prej 53 tonësh është më e rëndë se sa një avion Boing 737 me 136 udhëtarë, bagazhe dhe karburant. Pra është një raketë gjigante”.

Elon Musk mendon se raketa do të jetë mjaft e fuqishme, për ta çuar kapsulën Dragon në Hënë dhe ndoshta edhe në Mars. NASA sapo i ka dhënë kontrata me vlerën e 270 milionë dollarëve 4 kompanive të ndryshme për të ndërtuar anije të hapësirës me pilot. Në të kaluarën, kompani private të hapësirës kanë ndërtuar anije dhe objekte të tjera hapësinore me porosi të NASA-s dhe agjencia i ka marrë të gjitha vendimet për to.

Tani, menaxheri i programit komercial të NASA-s, Ed Mango, thotë se anijet e hapësirës do të projektohen dhe do të jenë pronë e të gjithë sektorit komercial, me sugjerime për sigurinë nga agjencia e hapësirës.

“Në fund të fundit, ne do t’i paguajmë kompanisë një vend, pra një biletë, me qëllim që ekipi ynë të fluturojë drejt stacionit të hapësirës”.

Ed Mango thotë se këto bileta nuk do të shiten para mesit të dekadës. Deri në atë kohë, NASA do t’i paguajë Rusisë 750 milionë dollarë për dhjetra bileta në anijen e hapësirës Sojuz, për të çuar astronautë dhe pajisje në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

XS
SM
MD
LG