Lidhje

Programi amerikan i hapësirës ndeshet me kritika

  • Greg Flakus

Përkrahësit e programit të hapësirës thonë se ai është në mëshirë të fatit

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka plane ambicioze për eksplorimin e Marsit me sondën robotike Curiosity, që është në plan të arrijë në Planetin e Kuq në gusht. Por plani afatgjatë i NASA-s për dërgimin atje të një ekipi me njerëz deri në vitin 2030 ndeshet me kritika, përfshirë disa nga ish astronautët dhe menaxherët e NASA-s. Kritikët dyshojnë që një mission i tillë do të bëhet ndonjëherë realitet dhe siç njofton nga Hustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, disa prej tyre, po ashtu vënë në pikëpyetje rëndësinë e këtij misioni.

Para gjysëm shekulli, NASA dërgoi astronautë në Hënë dhe gjatë tre dekadave të fundit i përdori anijet e hapësirës për misione në orbita më pranë Tokës.

Por shumë veteranë të viteve të lavdishme të NASA-s, si ish-drejtori i Qendrës amerikane të Hapësirës Johnson, Chris Kraft, kritikojnë planet e agjencisë për dërgimin e astronautëve në Mars.

“Ky objektiv është qesharak. Nuk është i realizueshëm”.

Zoti Kraft thotë se një objektiv i tillë ambicioz kërkon një plan të detajuar me hapa
paraprake e të ndërmjetme, si krijimi i bazave në Hënë.

“Ne dimë se si të shkojmë përsëri në Hënë; është një program i arsyeshëm, i realizueshëm, që mund të arrihet me kapacitetet ekzistuese”.

Programi Konstelacioni i NASA-s nuk përfshinte hapa të tillë, por Presidenti Barak Obama e anuloi atë në vitin 2010, me miratimin e një numri të madh shkencëtarësh, të cilët donin një plan më ambicioz. Mes atyre që tani mendojnë se ky ishte gabim, është drejtori i Planetariumit Hayden në New York, Neil deGrasse Tyson.

“Unë e kuptoj retorikën se ne kemi qenë në Hënë, pra pse të shkojmë përsëri? Por përgjigja është se ne nuk kemi shkuar në Hënë gjatë 40 vejtëve të fundit.”

Zoti Tyson thotë se plani aktual për të shkuar në Mars është tepër i paqartë. David Alexander, drejtor i Institutit të Paqes në Universitetin Rice, fajëson për parashikimet e tanishme të NASA-s, politikanët, që kontrollojnë fondet e nevojshme për këtë program.

“Shumë njerëz fajësojnë NASA-n se nuk ka një plan, por në fakt ata kanë shumë plane, bazuar në fondet e miratuara nga ky Kongres dhe Kongreset e mëparshme.”

Por zëvendësadminitratorja e NASA-s, Lori Garver, thotë se në Kongres ka shumë përkrahës të NASA-s.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me anëtarë të Kongresit dhe besojmë se kemi mbështetje të gjerë për një buxhet të qëndrueshëm të NASA-s.”

Zonja Garver beson se Kongresi do të autorizojë fondet për një sistem të ri udhëtimi në hapësirë dhe teknologji të reja për dërgimin e njerëzve në Mars, duke plotësuar objektivin që ajo thotë se Nasa e ka patur në mend për dekada me radhë. Por para se kjo të ndodhë, David Alexander mendon se administratorët e NASA-s dhe udhëheqësit e vendit duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve thelbësore.

“Çështja kryesore që shumë kritikë shtrojnë është pyetjen “Pse?” Ku po shkojmë, çfarë do të bëjmë atje dhe përse na duhet i gjithë ky investim”.

Ndërsa Kongresi amerikan ndeshet me problemin e borxhit të madh kombëtar dhe si t’i mbajë në funksionim programet federale, atë mund ta tërheqë ideja e shkurtimit të fondeve për udhëtimin drejt një planeti tjetër, planifikuar pas shumë vitesh.
XS
SM
MD
LG