Lidhje

Programi i trejnimit me teknologjinë e energjisë diellore në Luiziana


Programi i trejnimit me teknologjinë e energjisë diellore në Luiziana
Programi i trejnimit me teknologjinë e energjisë diellore në Luiziana

South Coast Solar, kompania më e madhe e paneleve diellore në Luiziana, po stërvit një brez të ri teknikësh në fushën e eneregjisë së pastër, të rigjenerueshme. Kjo është një praktikë mësimi që i përgatit këta punëtorë të certifikohen për një “punë të gjelbër”, siç quhet tashmë.

Ky program trejnimi për teknikë të energjisë diellore zhvillohet në Nju Orlins , pranë zyrave qendrore të kompanisë që promovon përdorimin e energjisë së rigjenerueshme në shtetin e Luizianës.

Vitin e kaluar, më shumë se 20 grupe studentësh si ky, u trejnuan dhe morën certifikatën, siç thotë Scot Oman, Shef i Teknologjisë diellore të kompanisë.

“Mësimi është pjesë e rëndësishme e aktivitetit tonë . Ne instruktojmë punonjësit tanë dhe klientët për tekologjinë e gjelbër dhe u shpjegojmë atyre dobinë që vjen prej saj, si për vende pune ashtu edhe në përdorimin e saj në jetën e përditëshme”.

Zoti Oman është i ngarkuar për organizimin e disa kurseve të kualifikimit për energjinë diellore në Luiziana.

Pasioni për energjinë e ripërtëritshme i lindi atij më shumë se 25 vjet më parë kur ishte për vizitë në Digën Huver në Nevada. Atëhere ai ishte vetëm 7 vjeç.

“Shkova atje për të parë turbinat gjigande të hidrocentralit dhe mbeta i mahnitur si nga konstruksioni i tyre ashtu edhe teknologjia e prodhimit të energjisë elektrike. Më pas mu zhvillua interesi për energjinë hidrike, për energjinë diellore, energjinë e erës dhe furnizimin e ndërtesave me energji”.

Talenti i zotit Oman për të punuar me instrumente tejet delikate si dhe për të instaluar sisteme për prodhimin e energjisë elektrike dhe monitorimin e tyre në distancë, e ka çuar atë në shumë vende të botës si Antarktida, Afrika, Gjiri i Meksikës, Guinea e re, Amazona dhe Jukatani. Ai ka punuar edhe brenda vendit në Teksas, Luiziana, Kolorado dhe Kaliforni.

Rezultatet e punës së tij në fushën e energjisë diellore janë përdorur gjerësisht, nga kërkimet mbi ngrohjen globale deri tek shënjat e jetës në Mars. Në programin e trejnimit të kompanisë South Coast Solar, studentëve u jepet mundësia të mësojnë duke përdorur panele diellore me efiçiencë të lartë, pikërisht nëpërmjet atyre që janë instaluar në këtë ndërtesë.

Kështu përgatitet këtu talenti i nevojshëm njerëzor për ta bërë Luizianën një shtet “të gjelbër” dhe për të garantuar që çdokush të ketë mundësi të përdorë energjinë diellore.

XS
SM
MD
LG