Lidhje

Programi “Të japësh mësim për Amerikën”jep rezultate


Programi “Të japësh mësim për Amerikën”jep rezultate
Programi “Të japësh mësim për Amerikën”jep rezultate

Ky program u shërben nxënësve të shkollave me të ardhura të pakta në zonat rurale.

Mungesë e mësuesve në Shtetet e Bashkuara do të thotë se është e vështirë të gjesh mësues që të punojnë në zonat rurale dhe me të ardhura të pakta. “Teach for Amerika”, “Jep mësim për Amerikën”, është një organizatë jo-fitimprurëse, e cila ndihmon për të mbushur këtë boshllëk. Ajo rekruton studentë të sapodiplomuar dhe profesionistë të rinj që të japing mësim në këto zona. Në një shkollë në Washington, një grua e cila dikur punonte për një firmë investimesh, tani është mësuese.

Natasha Alford nuk ishte e kënaqur me punën e saj në një firmë investimesh. Ajo donte të jepte ndihmesën e saj diku tjetër, psh si mësuese. Por meqenëse nuk kishte përgatitjen e nevojshme, ajo nuk mund të kërkonte punë për mësuese. Ajo thotë se programi “Teach for America” e ndihmoi të realizonte dëshirën e saj.

“Shihja që studentët e diplomuar dhe mësuesit e këtij programi po arrinin të përmirësonin leximin e fëmijëve brenda 2-3 vjetësh, si dhe përmirësime edhe në lëndët e tjera. Pra, kuptova se edhe pa ndjekur studimet për mësimdhënie, sipas mënyrës tradicionale, unë mund të jepja kontributin tim dhe programi “Teach for America” ishte rruga më e shpejtë për t’u bërë mësuese”.

Natasha jep mësim lëndën e gjuhës angleze dhe të leximit në këtë shkollë që financohet me fondet e shkollave publike në Washington. Ajo është një nga 9 mijë mësuesit e programit “Teach for America” në mbi 40 zona urbane dhe rurale me të ardhura të pakta. Natalie Ljukitis është zëdhënëse e organizatës. Ajo thotë se shumë fëmijë të familjeve me të ardhura të pakta nuk kanë përparim të mirë në shkollë.

“Programi “Teach for America” po e plotëson nevojën për mësues të efektshëm dhe për një komunitet arsimtarësh që t’i ndihmojnë nxënësit”.

Natasha Aford thotë se shumë nga nxënësit kanë nevojë të përmirësojnë shkrimin dhe këndimin. Ajo i frymëzon ata duke përdorur video dhe muzikë në klasë. Edhe një kokërr mollë shërben si mjet ilustrimi.

Ajo thotë se u mëson nxënësve të flasin duke i shoqëruar fjalët me gjeste, për ta bërë mësimin zbavitës.

“Pikërisht përmes këtij lloj komunikimi me gjeste, unë kuptoj nëse ata e kanë kuptuar ose jo mësimin.”

Mësimi në këtë formë ndihmon nxënësit si Luis Mota, që ka ardhura nga Republika Domenikane, të përqëndrohen në klasë.

“Mësuesja e bën mësimin shumë interesant, sepse i pëlqen të interpretojë dhe për këtë e admiroj”.

Natasha Alford thotë se nxënësit nga familje të pakicave racore nuk kanë nxitje për të ndjekur universitetit. Ajo vetë ka mbaruar Universitetin Harvard. Edhe pse ka qenë student shumë e mirë, ajo thotë se nuk do të kishte arritur atje ku është sot, pa mbështetjen e prindërve dhe mësuesve.

“Unë isha një nga studentët e paktë nga grupet e pakicave që ndiqja klasa të avancuara. Kurrë nuk kisha menduar që do të mund të hyja në Harvard, pa më thënë të tjerët se kjo ishte e mundur.”

Natasha do që nxënësit e saj ta dine se EDHE ata mund të shkojnë në universitet.

“Mendoj se nëse i trajtoj studentët sipas standardeve të larta, edhe kur të largohen nga klasa ata do t’u qëndrojnë këtyre standardeve dhe dëshira ime është që të gjithë ata të shkojnë në universitet, nëse kjo është zgjidhja më e mirë për ta.”

Kimiah Dokeri thotë se mësuesja e saj e nxit të arrijë rezultate.

“Ajo e di se ne mund të dalim më mirë me mësime, se mund të kemi rezultate të mira në jetë, të shkojmë në Universitet… dhe kjo më frymëzon.”

Natasha thotë se programi “Teach for America” ia ka ndryshuar edhe asaj jetën.

“Këtë dua të bëj si punë dhe tani e mendoj të realizueshme të vazhdoj të punoj në arsim. Ndjej që më janë hapur dyert kudo, sepse kalova nëpër këtë program”.

Natasha Alford është duke studjuar për të marrë certifikatën e mësimdhënies dhe ka në plan të vazhdojë punën në arsim, edhe pasi të përfundojë punën me programin “Teach for America” vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG