Lidhje

Plotësimi i rekomandimeve europiane nuk ka mbaruar


Në listën e rekomandimeve rëndojnë moszgjidhja e çështjes së pronave, pasiguria ligjore e statusit të tyre, e cila sjell shpesh konflikte.

Ndërsa pritet raporti i progresit i Komisionit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në plotësimin e 12 rekomandimeve për të marrë statusin e kandidatit, analistë të pavarur shfaqin një optimizëm te matur lidhur me vlerësimet. Lëvizja Europiane e Shqipërisë është një qendër që studion hap pas hapi përmbushjen e këtyre rekomandimeve. Drejtuesi i saj, Gjedis Gjipali, thotë se “nga vëzhgimi më i fundit del se disa prej rekomandimeve janë plotësuar dhe disa janë trajtuar pjesërisht, por edhe disa nuk janë prekur fare. Kjo e bën të vështirë një vlerësim të qartë të situatës, të cilën mund ta sqarojë vetëm raporti në tetor”.

Studiuesit shqiptarë ende nuk mund të parashikojnë qartë se si do të jetë raporti i progresit i Komisionit Europian lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat. Por ata thonë me siguri se Shqipëria nuk i ka plotësuar sa dhe si duhet 12 rekomandimet. Drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Glejdis Gjipali thotë se një përgjigje më e saktë do të vijë në tetor përmes raportit të progresit të komisionit europain, i cili çertifikon situatën dhe flet qartë dhe drejtpërdrejt mbi ecurinë e Shqipërisë. Zoti Gjipali thotë se “në disa fusha është përmirësuar legjislacioni, por BE ka kërkuar rezultate praktike në zbatimin e tyre, akuza dhe dënime të zyrtarëve për korrupsion, dënime ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Disa nga rekomandimet janë plotësuar krejtësisht, por mosmarrëveshjet politike penguan disa të tjera”.



Në listën e rekomandimeve rëndojnë moszgjidhja e çështjes së pronave, pasiguria ligjore e statusit të tyre e cila sjell shpesh konflikte dhe frenim të investimeve. Sipas tij, politika u mor për një kohë të gjatë me heqjen e imunitetit të politikanëve dhe zyrtarëve, kur ajo ishte vetëm një nëntemë e rekomandimeve të tjera.

Një rrugëdalje optimiste, sipas zotit Gjipali, mund të ishte caktimi i një periudhe tranzitore për Shqipërinë, siç bëri BE edhe me shtete të tjera, që të plotësojë disa pika në ecje e sipër deri në pranverë. “Por BE nuk do ta ketë të lehtë t’i japë Shqipërisë një periudhë tranzitore për shkak të vështirësive në tema si pronat dhe reforma parlamentare dhe kur politika dhe administrata do ta kenë gjithë vëmendjen tek zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë” - thotë ai. Në një takimet e fundit Shqipëri - BE u kërkua po ashtu që Shqipëria të bëjë kujdes me ndarjen e buxhetit të 2013 si vit elektoral, sepse ato janë investime me kosto të lartë fillestare dhe bëhen kryesisht për efekte mediatike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG