Lidhje

Progresi i luftës kundër Ebolës

  • Zllatica Hoke

Zyrtarë ndërkombëtarë të shëndetësisë thonë se numri i rasteve të reja me Ebolë në Afrikën Perëndimore po bie. Megjithë këtë përmirësim, OKB-ja po bën thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare për të luftuar virusin vdekjeprurës. Një spital në Zvicër ka filluar të testojë një vaksinë të re për Ebolën. Ilaçi eksperimental po testohet fillimisht me vullnetarë që gëzojnë shëndet të mirë.

Lajmet e mira nga Afrika perëndimore filluan të ndihen gjatë javës së kaluar. Koordinatori për Ebolën në Ministrinë e Shëndetësisë së Guinesë u shpreh në Paris se shifrat e rasteve të reja po bien në Sierra Leone, Liberi dhe Guine.

“Shifrat në rënie reflektojnë numrat e rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara në qendrat e kujdesit shëndetësor, të cilat kanë filluar të bien, megjithëse me një ritëm modest.”

Në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia, një zyrtar i OKB-së përgjegjës për reagimin ndaj Ebolës konfirmoi se ka patur përmirësim domethënës në luftën kundër sëmundjes vdekjeprurëse. Më pak njerëz po infektohen dhe edhe më pak po vdesin prej saj. Por, beteja kundër Ebolës është ende larg fundit, thotë zyrtari i OKB-së, Anthony Banbury.

“Kemi nevojë që OJQ-të të marrin përsipër menaxhimin e këtyre qendrave. Ne po krijojmë kapacitetet logjistike dhe po ndërtojmë klinika me paisjet dhe gjithçka tjetër që u duhet. Pacientët janë të shumtë. Na duhen tani bashkëpunëtorë për të menaxhuar objektet.”

Autoritetet e shëndetësisë në SHBA shpresojnë që vaksina e re t’i japë fund epidemisë që ka vrarë rreth 5 mijë persona dhe ka infektuar rreth 14 mijë.

Spitali Universitar i Lozanës në Zvicër filloi testimin e vaksinës me vullnetarë të shëndetshëm.

“Mendoj se sa më shpejt të kemi një vaksinë funksionale dhe të sigurtë, aq më shpejtdo të mund ta përdorim atë për të vaksinuar popullsinë në Afrikën Perëndimore dhe kudo tjetër që mund të përhapet Ebola.”

Ekspertët thonë se nuk ka asnjë rrezik të merret virusi prej vaksinës.

“Ajo që ne masim janë anti-trupat që krijohen kundër proteinës së prodhuar nga vaksina. Gjithashtu kryejmë disa analiza të detajuara të qelizave të bardha të gjakut për të kuptuar nëse qelizat që janë ekspozuar ndaj vaksinës kanë tjetër formim biologjik krahasuar me qelizat që nuk janë ekspozuar.”

Nëse testimi del i efektshëm, do të kryhet më tej me bazë më të gjerë.

Shkencëtarët francezë janë pranë fazës së prodhimit të një analize për Ebolën që do të japë rezultatin brenda 15 minutave, në ndryshim nga analizat e tanishme që kërkojnë 24 orë. Analiza më të shpejta janë duke u prodhuar edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Japoni.

XS
SM
MD
LG