Lidhje

Projekt për fëmijët me probleme


Albanian kids

Albanian kids

Në Tiranë u publikuan sot disa disa projekte të institutit “Bashkëpunimi italian”, mes të cilëve edhe një projekt për shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Zëvendës-kryeministri Niko Peleshi tha se në këto dy dekada kujdesi për këta fëmijë ka qenë i pamjaftueshëm.
Instituti i Bashkëpunimit Italian, Cooperacioni italian, publikoi sot 3 projekte që po financon për këtë vit në Shqipëri në mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, në zhvillim turistik dhe formim profesional të punëtorëve. Projektet po zbatohen nga organizata joqeveritare italiane dhe shqiptare si “Save the Children”.

Zëvendës-kryeministri Niko Peleshi tha se projekti i parë i kushtohet një çështje të dhimbshme, që për 20 vjet nuk ka marrë vëmendjen që meriton. Projekti që mbështet fëmijët me nevoja të veçanta është mëse i dobishëm, tha ai, dhe ndihma për ta nuk është detyrë vetëm e qeverisë, por e gjithë shoqërisë.

“Familjet me fëmijë të tillë, - tha zoti Peleshi - kurrsesi nuk duhet të ndjehen të lënë pasdore, dhe duhet të bashkohen në përpjekjet për të rritur sa më mirë këta fëmijë.

Në Shqipëri veprojnë 20 organizata joqeveritare italiane, që plotësojnë nevojat e pushtetit vendor në detyra të veçanta si mbështjetja e shtresave të mënjanuara, përmirësimi i kushteve të jetesës së popullsisë, fuqizimi i sistemit arsimor, kujdesit social, mbrojtja e të drejtave njerëzore.

Aktualisht kooperacioni italian financon 15 projekte të organizatave joqeveritare me rreth 13 milionë euro. Po ashtu ata financojnë një seri fushash të tjera si ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorë si bujqësia, shkollimi, shëndetësia, mjedisi, mbetjet, ujësjellës kanalizime, energjia, transporti, infrastruktura, shërbime sociale.

Kooperacioni italian është i pranishëm në Shqipëri nga viti 1991 me projekte deri në 700 milionë euro. Aktualisht ata po vazhdojnë projekte zhvillimi deri në 300 milionë euro, të cilët e bëjnë Italinë një nga donatorët kryesorë ndërkombëtarë për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG