Lidhje

Prokhorov: Do të luftoj për klasën e mesme ruse


Prokhorov: Do të luftoj për klasën e mesme ruse
Prokhorov: Do të luftoj për klasën e mesme ruse

Mbeten më pak se dy muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit në Rusi. Opinioni i përgjithshëm si brenda dhe jashtë vendit është se kryeministri Vladimir Putin do të arrijë të sigurojë një mandat tjetër presidencial. Por gara zgjedhore ka gjeneruar interes më të madh që me futjen në konkurim të manjati të fuqishëm Mikhail Prokhorov. Miliarderi rus dha intervistën e parë për median perëndimore ku parashtron objektivat e tij nëse bëhet presidenti i ardhshëm i Rusisë:

Mikhail Prokhorov, i cili ka marrë emër në Rusi më tepër për lidhjet e shumta romantike dhe jetën e qejfit, se sa për ambicjet politike, shprehet tani plotësisht i gatshëm për një fushatë të ashpër për atë që e cilëson si e ardhmja e Rusisë.

“Mund të tingëllojë disi bajate, por unë e dua vendin tim. Shoh këtu plot probleme, të cilave ia di përgjigjen. Po citoj Linkolnin i cili thoshte “qeveria duhet të jetë e popullit, nga populli dhe për popullin”. Ne kemi një qeveri në kurriz të popullit dhe ka ardhur koha për ndryshim”.

46-vjeçari Prokhorov renditet në listën e revistës Forbes si personi i tretë më i pasur në Rusi me 18 miliardë dollarë zotërime, ku përfshihen industri metalurgjike, biznese bankare si dhe ekipi amerikan i basketbollit New Jersey Nets. Ai e prezanton veten si njeri liberal, reformator dhe largpamës, i cili shprehet se pushtetarët përfaqësojnë pikëpamje konsevatore dhe janë të gatshëm të luftojnë me çdo çmim për të ruajtur status quonë.

“Po bëhet një diskutim i madh në Rusi për zgjedhjet e lira. Mendimi im është të shpërndahet Duma aktuale dhe të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta. Duhet të ndryshojmë ligjet elektorale dhe të hartojmë procedura më efikase për të zhvilluar referendume kombëtare”.

Manjati rus e prezanton veten si një kandidat që përfaqëson klasën e mesme ruse, të cilët janë ngritur në protesta kundër regjimit të Putinit. Analistë dhe përfaqësues të opozitës kanë ngritur dyshime se Prokhorovi është futur në garë nga vetë Vladimir Putin për të krijuar konfuzion tek klasa e mesme dhe për të amortizuar revoltat e opozitës. Por Mikhail Prokhorov hedh poshtë akuzat se është vegël në duart e Kremlinit që ka hyrë në lojë thjesht për të ndarë votën e opozitës dhe për të përligjur një fitore tjetër të Putinit për një mandat 6 vjeçar si president. Ai shprehet i vendosur për të fituar garën presidenciale, dhe përveç ambicjeve politike, ai vazhdon të ketë plane të mëdha edhe për ekipin e tij të basketbollit. Prokhorov thotë se sapo të fitojë zgjedhjet, do ta transferojë Ligën Kombëtare Amerikane të Basketbollit në Rusi.

XS
SM
MD
LG