Lidhje

Prokuroria apelon çështjen e 21 janarit

  • Armand Mero

Prokuroria akuzon ekspertin Ndoc Çardaku, të cilit i është referuar Gjykata për ekspertizën teknike se ai ka manipuar me provat materiale.

Në Shqipëri prokuroria dorëzoi sot apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila javën e shkuar vendosi të shpallë të pafajshëm dy drejtuesë të Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve gjatë protestës së dhunshme të opozitës më 21 janar të 2011.

Sipas dokumentit që zotëron Zëri i Amerikës, prokuroria vlerëson se Gjykata ka vepruar sipas saj “në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente” dhe se vendimi për pafajësinë e dy drejtuesve të Gardës është marrë në në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre”. Prokuroria i qëndron akuzës së ngritur, duke kërkuar dhe të njëjtën masë dënimi

Dy ditë pasi gjykata e Tiranës zbardhi arsyet që e çuan atë në vendimin për të shpallur të pafajshëm komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe drejtuesin e njësisë speciale Agim Llupo, prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Apelit për ta rrëzuar këtë vendim. Në tekstin e Apelimit, të siguruar nga Zëri i Amerikës, Prokuroria analizon në mënyrë të detajuar arsyetimin juridik të Gjykatës e cila sipas saj “i është referuar provave dhe fakteve inekzistente dhe ka tejkaluar kompetencat që i njeh ligji”.

Prokuroria akuzon ekspertin Ndoc Çardaku, të cilit i është referuar Gjykata për ekspertizën teknike se ai ka manipuar me provat materiale.

Thelbi i vendimit për shpalljen e pafajësisë, kishte të bënte me faktin se sipas Gjykatës nuk kishte prova që të vërtetonin se vrasjet ishin bërë me dashje, ndonëse pranohej se të paktën dy nga manifestuesit e vrarë, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi, ishin qëllluar me armët e Prendit dhe Llupos.

Prokuroria vlerëson se “i pandehuri Ndrea Prendi, i vetëdijshëm për karakterin e veprimeve të tij dhe rrezikshmërinë shoqërore të këtyre veprimeve, ka parashikuar jo vetëm mundësinë dhe domosdoshmërinë e ardhjes së pasojave, por ai me vullnet i ka orientuar këto veprime drejt ardhjes së tyre”. Të njejtin arsyetim, me referenca juridiko penale, Prokuroria ka bërë edhe për Agim Llupon.

Akuza ka paraqitur më pas edhe një përshkrim të detajuar për të vërtetuar pretendimin e saj. Ajo është ndalur në mënyrë të hollësishme në dy vrasjet për të cilat akuzohet oficeri Llupo. Gjykata u shpreh se nuk kishte asnjë prove shkencore që të vërtetonte se nga cila armë është vrarë Hekuran Deda dhe se sipas saj akuza është ngritur vetëm mbi bazat e deklaratave të disa dëshmitarëve. Por sipas prokurorisë, FBI amerikane ka mundur që përmes pamjeve filmike të tregojë “mënyrën se si ai ka qëlluar me armën e zjarrit, drejtimet ku ai ka qëlluar, e kohëzgjatjen e veprimeve të tij”.

Në rastin e vrasjes së Ziver Veizit, Gjykata pretendoi se plumbi ishte i dëmtuar në majë dhe se ishin gjetur ashkla pishe të cilat dëshmonin sipas saj për një rikoshet nga një trung apo degë peme. Por sipas prokurorisë gjykata ka bërë interpretime të gabuara sepse akti ekspertizës sipas saj “nuk flet asnjëherë për dëmtim në majë por në pjesën e fundit të saj”. Gjykata ju referua njërit prej ekspertëve të thirrur në proces, për të cilin prokuroria jep një fakt shumë të rëndë. Sipas saj “eksperti Ndoc Cardaku është filmuar, dhe video është paraqitur në gjykatë, ndërsa shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishën e të ndjerit dhe e ngjesh aty dhe më vonë, kërkon një vegël për ta hequr atë e për ta administruar si prove”.

Gjykata nga ana e saj gjithashtu është shprehur në vendimin e saj se Prokuroria “nuk ka zhvilluar hetime në drejtim të itensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve...detyrën e tyre funksionale”. Por në tekstin e Apelimit saktësohet se ndërsa hetimi ka provuar në mënyrë të plotë dhunën e protestuesve dhe mjetet e përdorura ndaj efektivave të gardës, viktimat “kanë qenë të paarmatosur, nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj efektivave policore jashtë rrethimit të objektit, apo efektivave të Gardës së Republikës brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë”. Prokuroria nënvizon se “asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, asnjë nga këta persona të vrarë e të plagosur, nuk ka tentuar në asnjë moment, për t’u futur brenda perimetrit rrethues të ndërtesës së Kryeministrisë”.

Në dokumentin e Apelimit Prokuroia vlerëson gjithashtu se “Gjykata në kundërshtim të plotë me Kodin e Procedrës Penale, me një vendim të gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë”, nuk ka bërë rikualifikim të veprës penale. Po ashtu prokuroria konsideron si “një shkelje të rëndë” zbatimin për analogji që Gjykata ka bërë me një vendim të Gjykatës të të Drejtave të njeriut lidhur me vrasjen e një të riu italian në 2001gjatë protestave në Xhenova të Italisë gjatë samitit të G8. Akuza saktëson se ky rast nuk ka asnjë lidhje me atë ndaj dy oficerëve të Gardës.

Në përfundim të analizës së saj Prokuroia kërkon rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dukei mbetur besnike akuzës së formuluar prej saj dhe masës së dënimit të kërkuar në shkallën e pare për të dy drejtuesit e Gardës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG