Lidhje

Tiranë: Prokuroria tregon shifrat e ligjit antimafia, miliona euro sekuestrime


Prokuroria e Përgjithshme bëri sot të ditur se ka sekuestruar 45 milionë euro pasuri të ndryshme dhe ka zbuluar 60 milionë euro përfitime të paligjshme nga skemat mashtruese, gjatë hetimeve në gjysmën e dytë të vitit të kaluar kundër kundër krimit financiar dhe atij të organizuar me mashtrime e fallsifikime.

Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka evidentuar personat përgjegjës në 6 skema mashtruese financiare në tregun e karburanteve, farmaceutik, konçensione dhe ndërtim. Prokuroria e Tiranës zbuloi një skemë mashtruese me rimbursimin e fondit të ilaçeve, në vlerë rreth 2 milionë euro. Në krye të kësaj skeme dyshohet se është drejtuesi i kompanisë farmaceutike “Omega Pharma”.

Prokuroria e Korçës zbuloi një skemë mashtruese financiare në vlerë rreth 1.5 milionë euro në tregun e materialeve inerte. Personat përgjegjës për këtë skemë u dërguan për gjykim në fund të muajit dhjetor 2015.

Prokuroria e Tiranës zbuloi një skemë mashtruese financiare në tregun e shitjes së aksioneve të kompanisë së naftës “FULLPET”, në vlerë shmangie detyrimi ndaj shteti rreth 500 mijë dollarë.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy skema shumë të mëdha financiare, të shtrira në disa vite. U dërguar për gjykim skema “DIA-ADC”, dy kompani me administror Kastriot Ismailaj, me vlerë rreth 10 milionë euro.

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për një tjetër skemë mashtruese, “KGE”, me vlerë rreth 40 milionë euro, për të cilën akuzohen shtetasit Francesko Beketi dhe disa bashkëpunëtorë të tij.

Prokuroria e Fierit zbuloi një skemë mashtruese financiare në tregun e karburanteve, me vlerë shmangieje detyrimesh ndaj shtetit rreth 2.5 milionë euro. Për këtë skemë konsiderohet përgjegjës administratori i kompanisë “Tea Oil”, Adrian Xhillari. Për këtë skemë janë të arrestuar edhe disa ish-zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përfshirë ish-zv.drejtoreshën e Përgjithshme, të dyshuar se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë toleruar realizimin e kësaj skeme.

Prokuroria e Tiranës zbuloi një tjetër skemë financiare në tregun e lojërave të fatit, me një dëm ndaj shtetit në vlerë mbi 1 milionë euro. Për këtë skemë, konsiderohen përgjegjës shtetasit Ndoj dhe Paulin Preçi, administratorë të kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”.

Bazuar në ligjin Antimafia, prokuroria ka sekuestruar ose konfiskuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme në 13 çështje hetimore në një total prej dhjetëra miliona euro për shkak të të falsifikimit të dokumentave dhe përfshirjes në skema mashtruese financiare. Vetëm në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar janë sekuestruar llogari bankare me 3.2 milionë euro, rreth 570 mijë metra katrorë sipërfaqe tokë bujqësore dhe truall, një hotel dhe dy godina 8 dhe 12 kate në vlerën rreth 23.6 milionë euro, aksione në 8 kompani private. Në vlerë rreth 15 milionë euro janë sekuestruar edhe 8 apartamente, 2 vila 3-katëshe, dy komplekse tregtare me sipërfaqe 11 mijë metra katorë dhe 10 mijë metra katrorë, një pikë karburanti, një ndërtesë 1700 metra katrorë, 2.1 milionë metra katorë tokë bujqësore dhe 700 metra katrorë truall.

Prokuroria shqiptare është kritikuar shpesh megjithatë për vonesa në hetime, për mosveprim në ngjarje që lidhen me nivele të larta të pushtetit. Drejtues të saj kanë deklaruar disa herë se po përgatitin arrestime të zyrtarëve të lartë, por ato nuk kanë ndodhur. Pritshmëria ndaj organit të akuzës është e lartë për shkak të korrupsionit në administratë, krime të reja dhe të vjetra, që rëndojnë opinionin publik, që mbeten sfida shumëvjeçare për hetuesit sepse dyshohet që në to janë përzier politikanë dhe zyrtarë të njohur në vend.

XS
SM
MD
LG