Lidhje

Hajdari: Reforma do ta pastrojë prokurorinë nga të paaftët dhe të korruptuarit


Zëri i Amerikës: Zoti Hajdari! Ju prej disa vitesh drejtoni Shoqatën e prokurorëve të Shqipërisë dhe për mbi 20 vjet punoni si prokuror në drejtësinë shqiptare. Brenda pak kohësh ju u lëvizët dy herë nga detyra. Pse kanë ndodhur këto transferime për ju dhe kolegë të tjerë?

Shkëlqim Hajdari: Të gjitha transferimet e prokurorëve dy vitet e fundit, që janë bërë pa pëlqimin e tyre, në bazë të ligjit për organizimin e prokurorisë, janë në shkelje të ligjit. Ky ligj parashikon qartë që transferimi i një prokurori nga një rreth në një rreth tjetër ose nga një shkallë e prokurorisë në një shkallë tjetër më të ulët mund të bëhet vetëm në rastet e riorganizimeve të prokurorive. Prokuroria shqiptare nuk ka ndonjë riorganizim ndaj unë dhe kolegët e mi i kemi ankimuar tashmë dekretet e Presidentit të Republikës. Një pjesë e prokurorëve ka fituar; gjykatat administrative të shkallëve të para janë shprehur se këto lëvizje janë të pambështetura në ligj.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka arsye të tjera, përveç ligjit, që këto transferime u kryen përpara një reforme të thellë, që pritet në sistemin e drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Për sa u takon transferimeve të mia, ato janë atipike, sepse unë kam marrë dy transferime në kuadër të riorganizimit brenda vitit; një herë jam shkarkuar në datën 8 tetor 2014 si drejtues i Prokurorisë së Apelit dhe së dyti, para pak ditësh brenda 24 orëve jam dekretuar nga Presidenti i Republikës për t'u transferuar në prokurorinë e Shkodrës si prokuror i thjeshtë. Unë preferoj t'i iki kësaj historie personale. Unë jam prokuror. Ashtu si kolegët e tjerë edhe unë do të ankimoj dekretin e transferimit të dytë në Shkodër. Edhe i pari është i paligjshëm, por e lashë mënjanë për të mos krijuar keqkuptime se po ankohesha për karrierë.

Unë e kam drejtuar Prokurorinë e Apelit përreth 7 vjet. Më 4 shtator 2008 kam gjetur një Prokurori Apeli me 3 zyra në cep të Prokurorisë së Përgjithshme dhe brenda pak muajve atëherë, në bashkëpunim me prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe me ministrin e drejtësisë Eduard Halimi, kemi siguruar mjedise të bollshme, kemi bërë një transformim rrënjësor të funksionimit të Prokurorisë së Apelit, më e madhja në Shqipëri, duke krijuar kushte pune për prokurorët, duke futur gjithë dosjet në sistem kompjuterik, duke i ndarë dosjet dhe duke punuar në grup, duke përfaqësuar me dinjitet çështjet në gjyq. Këto dalin në të gjitha analizat e bëra, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm. Rezultatet e punës së Prokurorisë së Apelit, rezultatet e gjithë grupit të punës aty, janë nga viti në vit në rritje, për të mos thënë që në vitin 2013 dhe në 2014, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm, Prokuroria e Apelit për rezultatet e punës që ka arritur, është marrë shembull për gjithë zyrat e prokurorive të Republikës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Presidenti Nishani i ka dekretuar propozimet për transferime të ardhura nga kryeprokurori Llalla...

Shkëlqim Hajdari: Unë nuk bëj komente jashtë natyrës së punës time si prokuror. Di të them se, në këndvështrimin tim dhe të kolegëve të tjerë të transferuar në këtë lloj forme, këto janë të paligjshme, dhe arsyet pse transferimi im, për shembull, është bërë brenda 24 orësh mund t'i japë Presidenti i Republikës.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë, si drejtues i Shoqatës së Prokurorëve ju keni bërë propozime dhe ndihmesë për reformën në sistemin e drejtësisë. A mund të shpjegoni detaje mbi ndryshimet që po mendohen në prokurori, që ju e njihni mirë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma në drejtësi ka dy vjet që është nismuar. Shoqata e Prokurorëve, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Avokatëve, Noterët, trupa e pedagogëve, shoqëria civile janë testuar përmes një sondazhi nga një o.j.f. se ku mendonin këto grupe interesi që duhet ndërhyrë në reformën në drejtësi për të përmirësuar gjendjen aktuale. Shoqata e Prokurorëve organizoi testimin e prokurorëve, ku morën pjesë rreth 70 për qind e prokurorëve dhe mbi 90 për qind e tyre pyetjeve kryesore iu përgjigjën si më poshtë: 1. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë deklaruan se mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm është politike dhe duhet të ndryshojë. 2. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë në maxhorancë shprehën që këshilli i prokurorisë, në rolin e këshilluesit, duhet të ndryshojë; duhet që ai këshill të bëhet vendim-marrës. Dhe 3. prokurorët u shprehën se duhet të fuqizohet gjithë strukturat dhe të rritet pavarësia e prokurorëve, sidomos ato struktura të prokurorisë që hetojnë në fushën e korrupsionit, duke mbështetur gjithë sistemin e prokurorisë, dhe veçanërisht anti-korrupsion, me anën financiare, me mbrojtje fizike të familjes, të jetës së tyre dhe promovimin e karrierave të tyre.

Zëri i Amerikës: Këto pika propozuat ju në emër të kolegëve si pjesë e reformës në prokurori?

Shkëlqim Hajdari: Ne falenderojmë ekspertët e reformës, që kanë marrë parasysh propozimet e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo tregon se ekspertët kanë punuar me qetësi dhe durim për dy vjet. Këto tre ndryshime të rëndësishme, këto tre kolona që preken, do të ndryshojnë krejt historinë e mënyrës së funksionimit dhe centralizmit arkaik, mbi bazën e të cilit funksionon prokuroria. Ne biem dakord të tërë që me ndryshimet në draftin e reformës Prokurori i Përgjithshëm nuk do të zgjidhet nga politika. Do të jetë një prokuror që do të dalë nga propozimet e këshillit të prokurorisë midis disa kandidaturave me kritere të forta të karrierës, të ngritjes profesionale, të pastërtisë morale, do të kalojë nëpër filtrat e parlamentit e ndoshta deri te Presidenti i Republikës dhe kjo është jashtëzakonisht pozitive.

Së dyti, këshilli i prokurorisë bëhet vendim-marrës me pjesëmarrjen e prokurorëve, një përfaqësues nga shkolla e magjistraturës, një nga dhoma e avokatisë, dy nga trupa e pedagogëve të fakultetit të drejtësisë dhe një nga shoqëria civile. Kjo strukturë rrit transparencën dhe ul trafikun e influencave, sepse këta persona jashtë trupës së prokurorëve, nuk kanë interesa direkte për të promovuar njerëz për arsye të tjera. Kjo risi do ta bëjë këshillin e prokurorisë më transparent, më të përgjegjshëm dhe do ta ruajë nga konflikti i interesave, sepse aktualisht këshilli i prokurorisë është në konflikt interesi.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është kritikuar shumë për një kulturë të mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit në administratë. Kjo histori nis nga gjykata dhe nga prokuroria. Si do ta largojë reforma pasivitetin dhe mosndëshkimin e korrupsionit në administratë dhe në radhët e vet drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma do të fuqizojë prokurorët dhe do t'i bëjë të përgjegjshëm; çdo prokuror që heton një çështje do të jetë ai vetë përgjegjës për dështimin apo suksesin e një dosjeje korrupsioni. Shumica e prokurorëve shqiptarë janë njerëz të ndershëm, që e duan profesionin, që sakrifikojnë, me paga as sa kolegët e rajonit të Ballkanit. Ky përforcim i tyre do t'i shtyjë ata të punojnë më shumë dhe do t'i bëjë ata më korrekt me detyrën. Së dyti, kjo do të përmirësojë sistemin e karrierës; nuk do të kemi më propozime klienteliste, as nepotike, me ndikime politike, për të mos thënë edhe me ndikime të grupeve kriminale në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë. Sepse këshilli i prokurorisë do të jetë një organ kolegjial, vendim-marrës, i mbrojtur nga konflikti i interesit. Sot 5 nga 6 antarë të këshillit të prokurorisë janë drejtues kryesorë të zyrave të prokurorisë, pra janë në konflikt të pastër interesi. Ndërsa me ndryshimet e pritshme këshilli i prokurorisë do të ketë antar vetëm një prokuror, i cili nuk do të ketë të drejtë të promovojë veten e tij.

Zëri i Amerikës: Jo më larg se të hënën, kryeprokurori Adriatik Llalla, deklaroi se institucioni ka fuqi vetë-rregulluese dhe është në gjendje të rregullojë problemet nga brenda. Si i komentoni këto deklarata?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam dakord me këtë deklarim të zotit Llalla. Por prokuroria do të vetëpastrohet kur të bëjë këto ndryshime kushtetuese, që u përmendën; pra, duke zgjedhur kryeprokurorin nga radhët e prokurorëve me kritere shumë të forta, duke i zgjatur mandatin jo 5 por 9 vjet, duke e bërë këshillin e prokurorisë vendim-marrës, kolegjial dhe me njerëz nga bota akademike, duke fuqizuar prokurorinë e posaçme antikorrupson, duke përmirësuar kushtet e punës dhe mbështetjen financiare të gjithë prokurorëve dhe kryesisht të atyre, që merren me çështje të rënda. Nëse bëhen këto ndryshime, dhe unë jam shumë optimist që do të bëhen, ato do të sjellin vetëpastrimin e organit të prokurorisë nga të korruptuarit dhe nga të paaftët.

Zëri i Amerikës: Cili është vlerësimi mbi përpjekjet pro dhe kundër reformës në drejtësi?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam profesionist, nuk jam politikan; ndryshimet kushtetuese dhe reforma në drejtësi votohet në parlament. Nuk e di kohën, por jam i bindur se kjo reformë do të bëhet dhe do të miratohet. Publiku dhe media shqiptare, ekspertët e huaj që janë pjesë e kësaj reforme dhe deklarimi i hapur i niveleve më të larta të Bashkimit Eiuropian përmes zonjës Vlahutin dhe të SHBA-ve, përmes ambasadorit Donald Lu e bëjnë këtë reformë shumë të suksesshme për t'u realizuar.

Ka edhe një arsye tjetër me rëndësi: këto dy shërbime diplomatike kanë në Shqipëri dy misione të specializuara në fushën e të drejtës: BE ka misionin Euralius dhe SHBA kanë zyrën OPDAT - pjesë e departamentit të drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto kanë vite që punojnë në Shqipëri, sidomos zyra OPDAT është mbështetësi kryesor i zyrave të Task Forcës, pjesë e hetimit të të cilave ka qenë korrupsioni. Ata e dinë mirë se ku ka çaluar struktura dhe pse nuk ka patur efektivitetin e duhur goditja e korrupsionit të zyrtarëve të lartë në nivele ministrash, të atyre që ishin në pushtet ose të këtyre që janë sot në pushtet. Publiku shqiptar pret përditë që kjo reformë të bëhet. Unë jam shumë optimist që reforma do të bëhet, sepse më keq se në ç'gjendje jemi për shkak të pandëshkueshmërisë nuk ka ku të shkojë më. Të gjithë faktorët do të gjejnë modulin, pasi ekspertët e nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, mbështetja e hapur e SHBA-ve përmes ambasadës së tyre dhe zyrës OPDAT janë garanci të sigurta që reforma në Shqipëri do të bëhet në një kohë sa më të shpejtë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në mënyrë të heshtur, kjo reformë ka jo pak kundërshtarë, që po përpiqen që ajo të mos kryhet. Ç' mund të thoni për ta?

Shkëlqim Hajdari: Kundërshtarët e kësaj reforme mund të ndahen në dy kategori: njëra kategori ka mungesa të formimit profesional dhe nuk kuptojnë se ne po hyjmë në një etapë të re ndryshimit të modelit dhe ristrukturimit të drejtësisë në Shqipëri, ndryshimit të mënyrës së funksionimit të prokurorisë dhe gjykatave. Po shtohet transparenca, po nxitet karriera e prokurorëve që janë prokurorë dhe gjyqtarëve që janë gjyqtarë, pa u vënë epitete të tjera. Grupi i parë ka mangësi në formimin intelektual dhe profesional. Grupi i dytë është më i vogël dhe luan me mekanzima të tjerë; në të janë ata prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë e të mesëm, të cilët kanë shkelur rëndë ligjin. Drejtësia vonon, por nuk harron. Këta janë pjesa penguese, por janë të identifikuar nga publiku shqiptar, nga prokurorët, nga misionet partnere, janë në minorancë për të bllokuar reformën dhe e kanë të pamundur për ta bëë këtë.

Po sot, një zyrtar nga prokuroria e përgjithshme pohoi për “Zërin e Amerikës” se komentet për "transferim te paligjshëm” të prokurorëve nëpër disa rrethe nuk qëndrojnë. Ai përsëriti shpjegimin e dhënë qysh ditën e parë se ato transferime janë kryer pas propozimeve për ndryshim strukturash të institucionit, për të cilat nuk nevojitet miratimi i prokurorëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG