Lidhje

Arrestohet Guvernatori Ardian Fullani


Në Tiranë, Guvernatori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u arrestua mbrëmjen e së premtes, pas hetimeve disa javore të prokuorisë për skandalin e vjedhjes së afër 7 milion dollarëve prej një punonjës të Bankës. Në pranga përfundoi edhe Inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi. Të dy drejtuesit e lartë të institucionit më të rëndësishëm financiar të vendit akuzohen për shpërdorim detyre. Arrestimi me një vendim të gjykatës së Tiranës, pas kërkesës së prokurorit të cështjes.

Guvernatori Ardian Fullani sapo kishte hipur në makinën e tij që e priste përpara zyrave të Bankës së Shqipërisë kur atij i është komunikuar masa e arrestit. Më pas të njejtin fat do të kishte edhe Inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi. Pasi të dy drejtuesit e lartë të Bankës ndodheshin në Drejtorin e Policisë së kryeqytetit, prokuroria shpjegoi arsyet se përse kishte kërkuar arrestimin e tyre. Sipas saj “për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

Për guvernatorin Ardian Fullani prokurorët shprehen se ai ka shkelur ligjin në të paktën 5 raste:
“Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal”.

Ndërsa Inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi, rezulton të ketë shkelur ligjin, pasi sipas prokuroreve,

“Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.
Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.
Së treti: Është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.
Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhë të parave”.

Prokuroria në deklaratën e saj thekson se objektivi kryesor i hetimeve mbetet gjetja e destinacionit të shumës së vjedhur.

Me arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të Bankës, drejtimi i saj i kalon automatikisht zëvendës guvernatores së parë, Elisabeta Gjoni. Ndërkohë, mbetet për të parë se si do të veprojë Këshilli Mbikqyrës, autoriteti i vetëm që mund të marrë vendim për shkarkimin e guvernatorit.

XS
SM
MD
LG