Lidhje

Pronarët e banesave në Londër shfrytëzojnë Lojërat Olimpike


Banorët e Londrës po nxjerrin fitime në tregun afat-shkurtër të qerasë së pronave, i nxitur prej Lojërave Olimpike që do të zhvillohen këtë verë. Shumë prej tyre po lirojnë shtëpitë për vizitorët e huaj.

Për shkak të pamundësisë së hoteleve për t’iu përgjugjur kërkesës, ata që kanë banesa pranë qendrës olimpike po shfrytëzojnë një treg të favorshëm me vizitorë që kërkojnë të qëndrojnë pranë stadiumit, duke ofruar çmime deri në pesë herë më tepër se vlera e qerasë në treg.

Në kryeqytetin britanik pritet të vijnë miliona vizitorë gjatë periudhës së Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, prandaj dhomat e disponueshme të hoteleve po rrallohen, sidomos në zonat pranë stadiumit.

Veçanërisht korporatat, për shembull mediat e huaja, kanë nevojë të qëndrojnë pranë aktivitetit dhe gjithashtu u duhet të kenë anëtarët e ekipeve të tyre të punës në të njëjtin vend.

Kjo është arsyeja pse është e leverdisshme të merret me qera shtëpia e dikujt, si psh apartamentet në Mile End, pranë stadiumit.

Christian Nelson është një konsulent administrimi, i cili po përgatitet ta lirojë shtëpinë e tij, duke e dhënë me qera për periudhën e Lojërave Olimpike.

Ai shkoi tek agjencia imobiliare Keatons për të diskutuar mbi planin e tij.

Zoti Nelson beson se apartamenti i tij do të jetë mjaft i preferuar nga vizitorët e huaj. Ai thotë se vlera e qerasë së shtëpisë së tij për dy muaj gjatë verës, jo vetëm që do të paguajë pagesën mujore të kredisë, por gjithashtu do të mundësojë edhe që ai të largohet nga Londra, duke shkuar me pushime diku tjetër.

“Unë mendoj se apartamenti ynë do të preferohet nga turistët e Lojërave Olimpike, pasi ka një pozicion mjaft të mire, pranë Parkunt Olimpik. Atje mund të shkohet në më pak se gjysëm ore më këmbë. Apartamenti ka dy dhoma gjumi. Ka gjithashtu dritare me pamje nga Parku Mile End dhe stadiumi, që se do të jetë një plus gjatë periudhës së lojërave.” - thotë ai

Darren Rebeiro, administrator i zhvillimit të biznesit i firmës imobiliare Keatons, po paraprin tregun olimpik të qerave.

Ai thotë se ata që jetojnë në Stratford mund të presin të marrin për banesat e tyre deri në pesë herë më tepër se sa çmimet e qerave në treg, ndërsa ata që banojnë në zonat përreth, deri në katër herë më shumë:

“Në vija të përgjithshme, qeraja e apartamenteve në Stratford luhatet nga 190 deri në 230 dollarë nata për person, ndërkohë që nëse zhvendosemi jashtë qendrës së Stratfordit ne mendojmë se bëhet fjalë për rreth 160 deri në 190 dollarë për natë për person.”

Në zonën Stoke Newington – rreth 6 kilometra e gjysmë larg qendrës olimpike – Elizabeth Melinek, nënë e dy fëmijëve, po paketon lodrat e fëmijëve të saj. Zonja Melinek ka një shtëpi me hapësirë të bollshme dhe katër dhoma gjumi, në një rrugë të qetë. Ajo thotë:

“Për mua dhënia e shtëpisë me qera është si një punë me orar të plotë. Ne do të ofrojmë edhe shërbim për klientët dhe unë do të liroj me kënaqësi hapësirë për ata njerëz që duan të kalojnë disa ditë në Londër. Prandaj unë kam në plan të heq çdo gjë që për mua është e shtrenjtë apo tepër personale, si dhe gjërat që mund të krijojnë rrëmujë, si lodrat e fëmijëve, grumbujt e revistave dhe zarfet e pahapura të ardhura me postë e gjëra të këtij lloji.

Me paratë që do të marrë nga qeraja e shtëpisë, ajo do të jetë në gjendje të paguajë për një eksperiencë të veçantë me familjen e saj.

“Ka mundësi që të fitojmë para të mjaftueshme për të paguar për një udhëtim turistik mjaft të bukur,” - thotë ajo.

Duket se suksesi olimpik mund të arrihet edhe jashtë aktivitetit sportiv të kësaj vere, ashtu sikundër brenda stadiumit, nga sportistët që konkurojnë për medaljet e arta.

XS
SM
MD
LG