Lidhje

Propozim për ndalimin e përdorimit të celularit në makinë

  • LAUREL BAWMAN

Propozim për ndalimin e përdorimit të celularit në makinë

Propozim për ndalimin e përdorimit të celularit në makinë

Në një hap të pashembullt, Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara po sugjeron që shoferët të mos përdorin celularin kur i japin makinës. Bordi, i cili kishte si detyrë të përcaktonte shkaqet e aksidenteve me makina, u kërkoi të gjitha shteteve që të ndalojnë plotësisht përdorimin e pajisjeve elektronike në makina, përveçse në raste urgjencash. Vetëm teknologjia që ndihmon shoferin, si GPS-i do të lejohej. Agjencia thotë se ky veprim do të ulte numrin e aksidenteve dhe viktimave.

Vajza e Elissa Schee-së ishte adoleshente kur një shofer kamioni, i shpërqendruar nga celulari, u përplas me një autobus shkolle.

“Margay ishte e vetmja fëmijë që kishte mbetur në autobus dhe vdiq”.

Histori të tilla tragjike janë të shumta, me familje që kanë humbur të dashurit në aksidente të shkaktuara nga shoferë të shpërqendruar. Jacy Good arriti të shpëtonte, por prindërit e saj humbën jetën.

“Të dy prindërit e mi vdiqën në vend. Unë vetë nuk po merrja frymë. Asnjeri nuk shresonte që unë të jetojë më gjatë se 36 orë”.

Propozimi i Bordit të Transportit për të ndaluar përdorimin e telefonit celular gjatë ngarjes së makinës, edhe në rastet kur përdoren kufjet, u paraqit pak pas një aksidenti rrugor në Missouri. Adoleshenti që i jepte makinës kishte dërguar dhe marrë 11 mesazhe në 11 minutat pak para aksidentit që shkaktoi vrasjen e dy vetëve dhe plagosjen e 38 të tjerëve.

“Ne e dimë që aksidentet ndodhin sa hap e mbyll sytë. Duhet të jesh i përqendruar gjithë kohën. Nuk i dihet se cila do të jetë telefonata apo mesazhi i fundit nëse je duke përdorur telefonin kur i jep makinës”.


“Shoferët e pranojnë që ky është problem, por prapë vazhdojnë sepse mendojnë se janë më të zotë se të tjerët. Sipas tyre, janë të çmendurit e tjerë që nuk dinë dhe ata duhet të marrin gjoba. Raste të tilla i shohim gjithmonë në studimet për sigurinë në autostrada”.

Russ Rader punon për Institutin e Sigurimeve për Sigurinë e Autostradave. Ai thotë se studimet e këtij instituti tregojnë se ndalimi i telefonit nuk i pakëson aksidentet dhe nuk e ul koston e sigurimeve, ndoshta sepse shpërqendrimi i shoferëve ka shumë arsye.

Por Rader dhe ekspertë të tjerë thonë se teknologjia për parandalimin e përplasjeve mund të sjellë ndryshim. Një studim arriti në përfundimin se një makinë e madhe Volvo që frenon automatikisht nëse kap një sinjal për një përplasje të mundshme ka shumë më pak gjasa të përplaset sesa makinat e tjera.

“Njerëzit përfitojnë nga ky rregull, sepse shoferët nuk bëjnë gjithnjë atë që duhet në rast urgjencash”.

Por makinat pa shofer nuk janë shpikur ende. Kështuqë qeveria amerikane thotë që celularët nuk duhen përdorur kur i jep makinës.

XS
SM
MD
LG