Lidhje

Ushtria greke kërkon dënim 60 ditë burg për rekrutët me origjinë shqiptare


Mjetet greke të informimit njoftuan se Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë greke i kërkoi Ministrit grek të Mbrojtjes firmosjen e dënimit me 60 ditë burg për shtatë rekrutët me origjinë shqiptare. Masa e rëndë disiplinore për rekrutët, sipas Shtabit të Ushtrisë, vjen pasi ata janë gjetur fajtorë për shfaqjen në rrjetet sociale të një fotoje ku formojnë me duar shqiponjën, simbol të flamurit shqiptar.

Sipas hetimeve të ushtrisë greke ushtarët ishin vetëfotografuar duke formuar me duar shqiponjën në Qendrën e Trajnimit të Mesologjit në kundërshtim me rregullat e ushtrisë. Rekrutët pritet të shërbenin në Gardën e Ushtrisë greke pas betimit që duhet të bënin më 2 shkurt.

Në Ushtrinë greke kryejnë shërbimin e detyrueshëmushtarak disa qindra të rinj me origjinë shqiptare, familjet e të cilëve kanë emigruar në Greqi dhe kanë marrë nënshtetësinë greke gjatë viteve të fundit. Publikimi i fotos nga rekrutët me origjinë shqiptare ngjalli reagime të forta në shtypin e të dy vendeve. Në Greqi reagime erdhën edhe nga subjektet politike, ku partia më e madhe e opozitës, “Demokracia e Re”, kërkoi një interpelancë me Ministrin grek të Mbrojtjes, interpelancë që pritet të mbahet gjatë muajit shkurt.

XS
SM
MD
LG