Lidhje

Propozohet një rezolutë në Senat që autorizon misionin amerikan në Libi

  • Michael Bowman

Propozohet një rezolutë në Senat që autorizon misionin amerikan në Libi

Propozohet një rezolutë në Senat që autorizon misionin amerikan në Libi

Nëse miratohet, rezoluta autorizon përdorim të kufizuar të forcave ushtarake amerikane në Libi për një vit. Në të jepen detaje se ushtria amerikane do të luajë një rol mbështetës në fushatën e udhëhequr nga NATO dhe se nuk do të ketë dislokim të trupave tokësore amerikane në Libi.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, John Kerry, thotë se justifikimi për ndërhyrje në Libi është bindës dhe i qartë.

“Ajo çfarë po ndodh tani në Lindjen e Mesme mund të jetë ndryshimi më i rëndësishëm gjeo-strategjik që nga rënia e Murit të Berlinit. Premtimi që mban lëvizja prodemokratike për transformimin e të gjithë botës arabe dhe e gjithë kjo mund të nënkuptojë për Shtetet e Bashkura kur kemi parasyshë shpresën për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve, shpresa për shuarjen e niveleve të ekstremizmit fetar, shpresat për reduktimin e terrorizmit, të gjitha këto përfshihen në këtë zgjim arab.”

Senatori Kerry tha se këto shpresa do të shuhen nëse kolonel Gadhafi mbijeton dhe aspiratat e popullit shtypen. Ai shtoi se të gjitha ato që ka dashur të arrijë Shtetet e Bashkuara që nga sulmet terroriste të 2001 do të rrezikoheshin.

Senatori republikan me peshë John McCain i Arizonës dha një mbështetje entuziaste për vazhdimin e veprimeve ushtarake.

“Këto janë faktet: Gadhafi do të bjerë. Është çështje kohe. Ndaj do të pyesja kolegët e mi: a është kjo koha që Kongresi të vihej kundër kësaj politike? A është kjo koha për të shpëtuar rënien e një tirani, kur të gjitha gjasat tregojnë se ai po bie? A është kjo koha për Kongresin që të deklarojë para botës, Gadhafit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të gjithë libianëve që po sakrifikojnë për të rrëzuar Gadhafin nga pushteti, a është koha për Amerikën që tu thotë të gjithë këtyre se zemra jonë nuk është në këtë betejë?. Që ne nuk kemi as dëshirën dhe as aftësitë në përfundimin e këtij misioni?”

Rezoluta e Senatit vjen ndërkohë që një grup i vogël ligjvënësish por të zëshëm nga të dy partitë politike përpiqet t’i japë fund angazhimit ushtarak amerikan në Libi. Në Dhomën e Përfaqësuesve vihet re një përpjekje për të ndërprerë financimin e operacioneve. Javën e kaluar, 10 ligjvënës ngritën çështjen në gjykatën federale, duke argumentuar se misioni ishte i jashtëligjshëm, dhe ka zgjatur përtej pragut 60 ditor pa siguruar autorizimin e Kongresit.

Administrata e presidentit Obama argumenton se nuk ka nevojë për autorizim meqenëse forcat amerikane nuk kanë përfshirje aktive në luftimet në Libi dhe asnjë ushtar amerikan nuk është dislokuar në tokën libiane. Ndërkohë që mbronte objektivat e misionit, senatori McCain nuk ishte dakord me arsyetimin e administratës dhe tha se presidenti Obama duhet të kishte kërkuar autorizimin e Kongresit që nga fillimi.

“Është e vështirë ta pranoj se forcat ushtarake amerikane që hedhin bomba dhe vrasin personelin armik në një vend të huaj nuk quhet se marrin pjesë në luftime."

Por ndërkohë që drejtonte rezolutën e Senatit, senatori Kerry argumentoi se logjika e administratës është e drejtë.

“Vetem pse ndodhin luftime dhe ne po mbështesim njerëz të përfshirë në këto luftime, nuk do të thotë se ne vetë, po i dërgojmë trupat në luftime. Nuk po qëllohet ndaj asnjë amerikani. Asnjë ushtar amerikan nuk ndodhet në Libi apo parashikohet të dislokohet atje.”

Ende nuk është e qartë nëse, apo kur Dhoma e Përfaqësuesve mund të përpiqet të ndalë financimin e misionit, dhe nëse bëhet kjo, Senati nuk duket se do ta bëjë një gjë të tillë. Senatorët Kerry dhe McCain thonë se do tu pëlqente të shikonin Senatin të debatonte dhe votonte rezolutën që autorizon ndërhyrjen në Libi deri nga fundi i javës.

XS
SM
MD
LG