Lidhje

Protesta masive shoqërojnë takimin e NATO-s në Çikago

  • Kane Farabough

Demonstratat filluan si një shprehje paqësore e kundërshtimeve ndaj luftës. Mijëra vetë kishin mbushur rrugët e Çikagos në këtë demonstrim.

Por protestat precipituan shpejt në dhunë, pasi demonstruesit qëlluan me objekte të ndryshme policët dhe në një numër rastesh nuk iu bindën urdhërave për t’u shpërndarë. Policët arrestuan disa vetë gjatë përleshjeve, që filluan pak metra larg Pallatit McCormick ku po zhvillohet takimi i NATO-s.

Masat e sigurisë ishin mjaft të rrepta, disa ditë pasi 3 amerikanë u akuzuan për komplot për sulme terroriste në Çikago. Aktet sporadike të dhunës në fund të protestës ishin zhgënjyese për organizatorin Andy Thayer. Ai mori leje për të organizuar protestat dje dhe tha se forcat e shumta policore ishin një pamje e frikshme në qytet:

“Mesazhi i këtyre përforcimeve është që t’i frikësojnë njerëzit në mënyrë që të mos marrin pjesë dhe të mos ushtrojnë të drejtën e tyre të shprehjes”.

Dhjetëra veteranë amerikanë, që janë kthyer nga shërbimi në Irak dhe Afganistan ishin në qendër të protestave të djeshme kundër luftës. Pasi marshuan nëpër qytet me aktivistin për të drejta civile Jesse Jackson, ata dorëzuan me radhë medaljet që iu dhanë për shërbimin ushtarak, në një gjest simbolik kundër luftës.

Dita filloi me një tubim masiv që tërhoqi grupe protestuesish nga e gjithë bota, një larmi kundërshtarësh të Aleancës së NATO-s dhe fushatave ushtarake në përgjithësi. Aty përfshiheshin anëtarë të një grupi majtist për të drejtat e grave në Filipine.

Princess Bustos e grupit filipinas Gabriela kundërshton praninë e trupave amerikane në atdheun e saj. Ajo thotë se fondet që vendet e NATO-s shpenzojnë në fushata ushtarake në Afganistan mund të përdoren për programe sociale në Shtetet e Bashkuara, ku ajo jeton aktualisht:

“Nuk ka fonde për arsimin, për kujdesin shëndetësor, megjithatë shtimi i shpenzimeve ushtarake është përparësi para interesave dhe nevojave të shumicës së popullatës këtu në Shtetet e Bashkuara”.

Protestuesja kanadeze Alison Bodine ka ardhur nga Vankuveri për të marrë pjesë në demonstrimet në Çikago. Ajo shpreson se udhëheqësit botërorë do ta kuptojnë mesazhin e përgjithshëm të këtyre protestave:

“Jemi mbledhur sot këtu për të kërkuar eliminimin e NATO-s. Nuk kemi nevojë për këto aleanca ushtarake që krijojnë luftë dhe nxisin pushtime në botë. Ajo që na duhet është solidaritet mes qenieve njerëzore”.

Solidariteti ishte gjithashtu lajtmotivi i udhëheqësve të NATO-s në Çikago, të cilët po diskutojnë për bashkëpunimin ushtarak mes tyre në Afganistan dhe më pas.
XS
SM
MD
LG