Lidhje

Greqi, protesta kundër shkurtimit të shpenzimeve qeveritare


Greqi, protesta kundër shkurtimit të shpenzimeve qeveritare
Greqi, protesta kundër shkurtimit të shpenzimeve qeveritare

Televizioni shtetëror grek thotë se kryeministri socialist Jorgo Papandreu po ofron krijimin e një qeverie bashkimi me opozitën konservatore për të fituar përkrahje për masat e shkurtimeve të shpenzimeve që këkohen nga huadhënësit ndërkombëtarë. Televizioni NET tha se zoti Papandreu e bëri ofertën gjatë një takimi me udhëheqësin opozitar Antonis Samaras sot. Disa ligjvënës konservatorë po bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit si pjesë e ndarjes së pushtetit.

Ndërkohë, policia greke dhe protestuesit u përleshën ndërkohë që mijëra njerëz mbushën sot sheshin qendror të Athinës për të protestuar ndaj masave për shkurtimet e shpenzimeve. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se politikanët grekë duhet të shkurtojnë shpenzimet nëse duan të marrin ndihma të tjera ekonomike.

Policia greke përdori gaz lotsjellës për të mos lejuar protestuesit të bllokonin sot ndërtesën e parlamentit në Athinë, para debatit për shkurtime të tjera, që do të bëjnë të mundur sigurimin e kredive ndërkombëtare për ta shpëtuar Greqinë nga kriza financiare.

Përleshje pati mes policisë dhe grupeve të vogla të demonstruesve ndërkohë që mbi 20 mijë protestues u mblodhën në qendrën e kryeqytetit.

Policia mbylli një pjesë të madhe të rrugëve në qendër të Athinës për trafikun dhe këmbësorët për të lejuar ligjvënësit të arrinin me makina deri tek parlamenti.

Qeveria e kryeministrit Jorgo Papandreu duhet të miratojë këtë muaj një program masash të rrepta shkurtimesh prej 28 miliard eurosh për të mos rrezikuar humbjen e financimit nga paketa 110 miliardë eurosh e kredisë së dhënë nga vendet evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Për t’iu përmbajtur kushteve, socialistët e zotit Papandreu e braktisën premtimin për mosvënien e taksave të reja dhe përgatitën një program privatizimi katër-vjeçar me vlerë prej 50 miliardë eurosh, duke nxitur edhe më tej protestat kundër shkurtimeve nga grupet e prekura prej tyre.

Greva e përgjithshme nga sindikatat bllokoi shërbimet publike në të gjithë vendin.

“Të gjitha masat që duan të marrin do të jenë të përhershme. Njerëzit nuk kanë mënyrë tjetër për t’u mobilizuar përveç se të zhvillojnë greva dhe protesta”, tha një mësues.

Disa nga pikat kryesore turistike, përfshirë Akropolin ishin të mbyllura për vizitorët.

Hekurudha kombëtare e qytetit ishte braktisur dhe protestat kishin bllokuar edhe trafikun detar në portin e Pireut.

Anëtarja lokale e parlamentit Vera Nikolaidu, anëtare e Partisë Komuniste, thotë se qeveria ka në plan të shkatërrojë gjithçka që ka mbetur.

“Ata po shkatërrojnë gjithçka. Prandaj duhet të dërgojmë një mesazh në drejtimin e duhur përmes protestave të organizuara në mënyrë që të bllokojmë votimin”.

Disa nga ligjvënësit e partisë në pushtet i kanë kritikuar publikisht shkurtimet. Një prej tyre u largua dje duke reduktuar shumicën parlamentare të zotit Papandreu. Ndërsa një socialist tjetër tha se do të votonte kundër projektligjit.

Me rënien e vlerësimit të kredisë, Greqia po mbijeton me anë të paketave të ndihmave nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë, Athina do të ketë nevojë për ndihma shtesë vitin e ardhshëm për mbulimin e boshlleqeve financiare meqenëse normat e larta të interesit nuk do ta lejojnë atë të prekë tregun e bonove të thesarit, ndryshe nga ç’ishte parashikuar në marrëveshjen fillestare të ndihmave.

XS
SM
MD
LG