Lidhje

Vazhdojnë protestat në Kajro


Mijëra kundërshtarë të Presidentit Morsi u mblodhën sot në Kairo në prag të protestave masive me synimin për ta detyruar presidentin të japë dorëheqjen. Duke valvitur flamurë, kundërshtarët e presidentit Mohammed Morsi u mblodhën në Sheshin Tahrir të Kairos, një prej qendrave në kryeqytet dhe në pjesë të tjera të vendit ku ata kanë në plan të protestojnë.

Thirrjet "erhal!" ose "largohu", oshëtinin në gjithë sheshin, vendlindja e kryengritjes së vitit 2011, që rrëzoi nga pushteti autokratin Hosni Mubarak. Edhe përkrahësit e zotit Morsi po zhvillojnë demonstrata dhe disa njerëz kanë frikë se ky kombinim mund të shndërohet në akte dhune vdekjeprurëse.

Ekziston një ndjenjë e përgjithshme mes kundërshtarëve dhe përkrahësve të presidentit se protestat e sotme janë vendimtare. Demonstratat e sotme, përvjetori i përurimit të zotit Morsi si udhëheqësi i parë i Egjyptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, janë kulmi i polarizimit në rritje që kur ai mori pushtetin.

Shumë egjiptianë janë të pakënaqur me udhëheqjen e Vëllazërisë Myslimane dhe ata nuk kanë pasur frikë ta tregojnë pakënaqësinë e tyre. Më shumë se 22 milion njerëz kanë nënshkruar një peticion për dorëheqjen e presidentit islamik të vendit, sipas Tamarod, që në arabisht do të thotë "rebelë", grupi që organizoi fushatën e peticionit.
Opozita ndjehet e fuqizuar nga peticioni, megjithatë grupi Tamarod, nuk ofroi ndonjë provë lidhur me këtë shifër.

Nëse vërtetohet, peticioni do të thotë se gati dyfishi i numrit të njerzve që votuan për zotin Morsi para një viti po kërkojnë tani dorëheqjen e tij. Fokusi i protestave ishte pallati presidencial Ittihadija në Kairo, ku protestuesit filluan të mblidheshin para agimit.
Ata këndonin dhe kërcenin, duke bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne duam një jetë më të mirë dhe më shumë demokraci. Ne nuk e duam më Vëllazërinë Myslimane. Ne nuk jemi të kënaqur me Mohammed Morsin dhe do të qëndrojmë nëpër rrugë derisa ai të largohet”, said ky protestue, Gladis Hadad.

Edhe në Sheshin Tahrir mijëra demonstrues bënin thirrje për përfundimin e sundimit të zotit Morsi. Edhe përkrahësit e presidentit kanë zhvilluar demonstrata në mbështetje të zotit Morsi.

Të premten mijëra përkrahës të zotit Morsi u mblodhën në një xhami afër pallatit presidencial. Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me akte dhune. Gjithsejt 8 veta, mes tyre edhe një amerikan, kanë humbur jetën në protestat e javës së fundit.
XS
SM
MD
LG