Lidhje

Protesta kundër Wall Street-it në Nju Jork

  • Zëri Amerikës

Protesta kundër Wall Street-it në Nju Jork

Protesta kundër Wall Street-it në Nju Jork

Më shumë se 700 protestues që shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kompanive të mëdha financiare në Wall Street u arrestuan të shtunën në mbrëmje në Nju Jork ndërkohë që u përpoqën të marshojnë nëpër urën e Brooklyn-it.

Demonstruesit që kishin moton “Të Pushtojmë Wall Street-in” detyruan mbylljen e përkohshme të urës ndërkohë që u mblodhën kundër asaj që ata thanë se ishte lakmia e korporatave, pabarazia shoqërore dhe çështje të tjera.

“Ekonomia po shkatërrohet para syve tanë dhe njerëzit po vdesin nga uria. Këtu në Manhattan sheh se ka më shumë njerëz të pastrehë se më parë. Megjithatë lakmia e korporatave vazhdon – ekzekutivët shkojnë në udhëtime miliona dollarëshe rreth botës dhe mendojnë se e meritojnë një trajtim të tillë, ndërsa të tjerët vdesin. Ka shumë njerëz që kanë punuar shumë për atë që kanë apo kishin dhe që janë duke humbur. Ekziston një ide e gabuar se çdo gjë është në rregull, por ne nuk mendojmë se kjo është e drejtë. Më shumë njerëz duhet të bashkohen ashtu siç po bëjmë ne këtu dhe të protestojnë për të drejtat tona dhe atë që meritojmë si qenie njerëzore, sepse duket sikur njerëzit nuk po e kuptojnë krejtësisht se çfarë po ndodh”, thotë një protestuese.

Policia e Nju Jorkut ka arrestuar disa prej protestuesve, kur ata dolën nga trotuaret e urës dhe u futën në rrugën e makinave duke bllokuar trafikun.

Në faqen e internetit të grupit “Pushtojeni Wall Street-in" protestat përshkruhen si një “lëvizje pa udhëheqës”, dhe se anëtarët e grupit kanë ngritur tenda pranë Disktriktit Financiar të qytetit të Nju Jorkut ku kanë qëndruar gjatë dy javëve të fundit.

Në Boston, u organizua një protest e ngjashme me moton "Ta kthejmë Bostonin në duart tona” përpara zyrave të Bankës së Amerikës dhe më shumë se njëzet demonstrues u arrestuan.

XS
SM
MD
LG