Lidhje

Protesta të reja tek Liqeni Artificial kundër ndërtimeve në park


Protesta e sotme e veprimtarëve të mjedisit pranë Liqenit Artificial nisi duke u dhënë lule policëve të bashkisë.

Ambjentalistët po përpiqen të pengojnë ngritjen e një kantieri ndërtimi me konstruksione hekur e beton në mes të parkut të liqenit, ku bashkia ka vendosur për një kënd lojërash për fëmijët.

Protestuesit kishin njoftuar se do të ngrinin në atë shesh ndërtimi një çadër për të penguar planet e bashkisë.

Por ata gjetën aty një numër të konsiderueshëm policësh të rendit dhe të bashkisë, që i ndaluan ta ngrinin çadrën. Më pas policia nisi me ndalimet e veprimtarëve më të spikatur.

Pak metra më tutje kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj mbolli disa fidanë qershie, në shenjë të vendosmërisë që ta shndërrojë Parkun e Liqenit Artificial në një qendër çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha moshat.

Protestat e organizatave të mjedisit ai i quajti thjesht përpjekje për të penguar projektet e zhvillimit të parkut.

Protestat e veprimtarëve te parku i Liqenit Artificial po vazhdojnë prej disa javësh, qyshkur u mësua se atje bashkia po ngre një kënd lojërash.

Ata dyshojnë se, në mungesë të plotë të transparencës mbi këto projekte, lojërat e fëmijëve do të ngrihen mbi platforma hekuri e betoni. Sipas tyre, pasi të priten një numër i konsiderueshëm pemësh, kjo do të hapë rrugën ndërtimit të lokaleve dhe restoranteve.

Bashkia i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka shprehur vendosmërinë për të çuar deri në fund planet e veta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG