Lidhje

Protesta në Bahrein, Libi dhe Jemen

  • Zëri Amerikës

Protesta në Bahrein, Libi dhe Jemen

Protesta në Bahrein, Libi dhe Jemen

BAHREIN - Ushtria e Bahreinit mori kontrollin në kryeqytetin e vendit dje, disa orë pasi policia shpërndau, duke përdorur plumba gome dhe gazlotsjellës një kamp protestuesish antiqeveritarë, duke vrarë të paktën pesë vetë dhe plagosur më shumë se 230 të tjerë.

Tanke dhe mjete të blinduara hynë në manama krahas ngritjes së postblloqeve. Ushtarë të armatosur rëndë patrulluan rrugët e qytetit. Ministria e Brendëshme paralajmëroi qytetarët e bahreinit nëpërmjet teksteve telefonike që të qendrojnë nëpër shtëpi. Bankat dhe institucione të tjera nuk nuk u hapën.

Ministri i jashtëm i Bahreinit, Sheik Khalid bin Ahmed Khalifa e mbrojti shtypjen nga forcat e sigurisë të demonstruesve anti-qeveritarë, duke thënë se protestuesit, shumica shitë, në Sheshin Pearl të Manamas, “po e polarizonin gjendjen në vend” dhe po e shtynin “në buzë të humnerës sektare”. Ushtria ka shpalluar ndalimin e mbledhjeve publike.

LIBI - Përleshje të dhunshme me pasoja vdekjeprurëse shpërthyen dje në Libi, pasi kundërshtarët e udhëheqësit të vendit, Moamar Gadafi bënë thirrje për protesta në shkallë kombëtare, të frymëzuara nga kryengritjet në shtetet arabe, duke sfiduar si rrallë herë regjimin.

Faqet e Internetit dhe aktivistët kundër Gadafit bëjnë të ditur se protestuesit libianë dolën nëpër rrugë në katër qytete dhe të paktën shtatë njerëz janë vrarë. Disa faqe të opozitës dhe të udhëheqësve në mërgim shkruajnë se autoritetet kanë angazhuar snajperët dhe komandot për të mbajtur nën kontroll trazirat.

Videot që qarkullojnë në rrjetin social Facebook tregojnë demonstruesit që djegin një qendër ndalimi të mërkurën vonë dhe qindra të tjerë duke marshuar të enjten në mbrëmje në një rrugë kryesore në qytetin lindor të Bengazit me thirrje kundër Gadafit. Protesta janë njoftuar gjithashtu edhe në qytetet Zentan, Rijban dhe Shahat.

JEMEN - Mijëra protestues dolën përsëri dje nëpër rrugët e Jemenit me thirrjet për përmbysjen e Presidentit Ali Abdullah Saleh. Kjo ishte dita e shtatë e demonstratave që u shoqërua me disa veprime dhune. Aktivistët kanë bërë thirrje për më shumë protesta sot, të cilën e quajnë “ditë e indinjatës” në Jemen.

Në portin jugor të Adenit, dëshmitarët okularë thanë se policia hapi zjarr me municion ushtarak dhe plumba gome në përleshje me mijëra demonstrues, të cilët dogjën rrota makinash dhe u vunë zjarrin automjeteve të qeverisë. Njoftimet për viktimat e djeshme gjatë konfrontimit janë konfliktore.

Në kryeqytetin e vendit Sana, lajmet bëjnë të ditur se dhjetra njerëz u plagosën, kur studentët dhe demonstrues të tjerë u përleshën me besnikët e qeverisë që ishin të armatosur me shkopinj gome dhe mjete të tjera të rënda.

Protesta anti qeveritare pati edhe në qytetin jugperëndimor Taiz. Protestuesit kërkojnë largimin nga posti të Presidentit Saleh, i cili ka 32 vjet në pushtet.

XS
SM
MD
LG